Prishtina dje në “Ferki Aliu” mundi Llamkos Kosovës me rezultat 0-1, duke e hapur edhe më shumë garën për titull të kampionit.
Tekniku prishtinas pas ndeshjes tha se skuadra e tij në duel me vushtrriasit dëshmoi se është kampion. Ai kritikoi edhe gjyqtarin e ndeshjes, e që sipas tij, gjyqtari e ka dëmtuar ekipin tij.
“Fillimisht e kisha falënderuar nikoqirin për organizimin e mirë të ndeshjes. Ne e dëshmuam se jemi kampionë, e dëshmuam se mund ta mposhtim edhe gjyqtarin kur është nevoja, pasi kemi qenë shumë të dëmtuar prej tij, por janë organet kompetente që duhet ta vlerësojnë punën e tij”, ka thënë Tovërlani.
Ai mendon se Llamkos Kosova mbetet akoma favorit për titull, por ai ka këshilluar homologun e tij, Ismet Munishin të punojë më shumë, sepse sipas tij, gara për kreun do të jetë shumë e “nxehtë”.
“Llamkosi prapë mbetet favorit, deri më tash ka qenë me meritë në vendin e parë me një vjeshtë shumë të mirë, por kam thënë edhe më parë se pranvera sjellë diçka tjetër dhe se sërish vjen marsi. Ismetit i mbetet të punojë më shumë sepse do ta ketë vështirë për ta fituar titullin”, ka theksuar Tovërlani.
Strategu prishtinas fitoren në Vushtrri ia dedikon anëtarit të Bordit të klubit, Sinan Vllasaliut dhe “Plisave”. /KP/Telegrafi/