Që nga viti 2001, sipas të gjeturave, në varrezat masive janë gjetur 931 trupa të kosovarëve të vrarë, shumica nga ta civilë që ishin vrarë gjatë luftës në Kosovë në vitin 1999. Këto varreza masive u gjetën kryesisht në Serbi.
Sipas Zyrës për Personat e Zhdukur nga UNMIK-u (OMPF), 744 kufoma të shqiptarëve nga Kosova u gjetën në varrezën masive të Batajnicës, vend ky në dalje të Beogradit; të paktën 61 kufoma u gjetën në Petrovo Selo dhe 84 të tjerë u gjetën në liqenin Peruçac. Më vonë, 52 kufoma të shqiptarëve nga Kosova u gjetën në varrezën masive në Rudnicë.
Fondi për të Drejtën Humanitare ka caktuar grup punues në kuadër të Qendrës Ligjore Humanitare e cila ka nxjerrë Dosjen “Mbulimi i Dëshmive të Krimit në Kosovë; Fshehja e Kufomave”, ku tregohen saktësisht të gjeturat e tyre të krimeve në Kosovë që nga marsi i 1999-ës; po ashtu tregohet për përfshirjen e presidentit të atëhershëm të “RFJ” Sllobodan Millosheviq dhe bashkëpunimin e tij me Ministrin e Brendshëm serb të asaj kohe, Vlajko Stojiljkovic në kryerjen e krimeve, shkruan Gazeta Express.
Këto të gjetura janë bërë në bashkëpunim me dëshmitarët të cilët ishin pjesë e transportimit të kufomave të gjetura në varrezat masive në Serbi, por edhe në vende të Kosovës.
Shumica e kufomave të gjetura në varrezat masive nuk ishin vetëm meshkuj, kishte edhe gra dhe fëmijë. Shkaku i vdekjes së tyre kryesisht ishte plumbi në kokë, e cila tregon se viktimat nuk u vranë gjatë luftimeve, por u ekzekutuan jashtë frontit të luftës në atë kohë.
Tash, 16 vjet pas zbulimeve të varrezave masive në Batajnicë, Petrovo Selo dhe liqeni Peruçac, dhe më shumë se tri vite nga zbulimi i varrezës masive në Rudnicë, të cila këto zona ende qëndrojnë të pa shënjuara, pa asnjë shenjë apo tregues se qindra trupa të meshkujve, grave dhe fëmijëve të cilët u vranë në krimet e panumërta masive në Kosovë, u varrosën në Serbi.
Dosja “Mbulimi i Dëshmive të Krimit në Kosovë; Fshehja e Kufomave” e bërë nga Qendra Ligjore Humanitare, tregon saktësisht numrin e kufomave të kosovarëve të gjetura në varrezat masive në Serbi – zonat, familjet e vrara kosovare, datat e vrasjeve dhe detaje të tjera të kryerjes së secilit krim.
VARREZAT MASIVE NË SERBI
Batajnica
Batajnica gjendet në periferi të pjesës veri-perëndimore të Beogradit në Komunën e Zemunit. Në zonën urbane “13 Maji” jetojnë një komunitet i vogël, i cili shtrihet në gjysmë të rrugës në mes të qytetit të Zemunit dhe Batajnicës dhe në afërsi të lumit Danub. Në vitin 1999 ka pasur një trajnim Qendra e Njësisë Speciale e MPB’së kundër Terrorizmit (SAJ).
SAJ ishte në atë kohë një njësi e Ministrisë së Punëve të Brendshme në Serbi, divizioni i Sigurimit Publik. Sot, SAJ është pjesë e Drejtorisë së Policisë.
“13 Maji” ishte qendra e trajnimit e cila vazhdoi funksionon edhe pas zbulimit dhe zhvarrosjes së eshtrave të qindra shqiptarëve nga Kosova në atë vend.
Në mes të viteve 2001 dhe 2003, tetë varreza masive janë zbuluar dhe u zhvarrosën në qendër të vendit “13 Maj”. Zhvarrosja është kryer nga një ekip i ekspertëve të Institutit të Mjekësisë Ligjore në Beograd. Eshtrat e njerëzve u zhvarrosën dhe u dorëzuan në ZPZHML në qese për trupat e vdekur dhe u bartën në Kosovë.
Në një raport të autopsisë përkatëse të prodhuar nga autoritetet serbe, ishin edhe certifikatat e vdekjeve të bashkangjitura në secilën qese të trupit.
Sipas raportit të ekspertëve të zhvarrimeve të publikuar më 24 nëntor të 2005, dhe e nënshkruar nga Jon Sterenberg, kreu i gërmimeve në Komisionin Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur (ICMP), Zyra Mjeko-ligjore ka thënë se 705 trupa janë nxjerrë nga varrezat në Batajnicë.
Pas zhvarrimit dhe ekzaminimit, mbetjet janë riatdhesuar në Kosovë dhe u janë dorëzuar ZPZHML, e cila kryesisht kryen analiza mjeko-ligjore dhe ri-ekzaminime të eshtrave të njeriut. Kjo ka konstatuar se në fakt ishin 744 trupa.
OMPF ka treguar shkaqet e vdekjes për 535 persona të cilët ishin të mbuluar në varrezat masive në Batajnicë dhe Peruçac; 531 persona kanë vdekur nga një plagë me armë zjarri, nga të cilët 300 ishin të qëlluar në kokë.
Petrovo Selo
Petrovo Selo është një fshat i vendosur në shpatet lindore të malit Miroc i cili gjendet në Komunën e Kladovo-s. Në vitin 1999, ka ekzistuar një qendër trajnimi e Ministrisë së Brendshme të Serbisë në po në këtë vend, ku anëtarët e PJP’së kanë marrë trajnime. Herë pas here edhe anëtarët e Njësisë së Operacioneve Speciale te Sigurimit të Shtetit, Departamenti “JSO” u trajnuan në po të njëjtin vend.
Në mes të 25 dhe 28 qershorit të vitit 2001, një ekip i ekspertëve të Institutit të Mjekësisë Ligjore kanë zhvarrosur dy varreza masive të zbuluara në Petrovo Selo në praninë e përfaqësuesve të ICMP’së dhe e monitoruar nga ICTY dhe FDH.
Raporti i prodhuar nga ekspertët e zhvarrimit thotë se 75 persona u zhvarrosën nga dy varreza masive në Petrovo Selo, afër qendrës së trajnimit policor.
ZPZHML ka deklaruar se ka marrë gjithsej 61 trupa nga sipërfaqja e zhvarrimit në Petrovo Selo. Është konstatuar se 53 nga viktimat kanë vdekur nga plagët, 20 prej tyre u qëlluan në kokë.
Liqeni Peruçac
Liqeni Peruçac është vendosur në Komunën e Bajina Basta në Serbinë perëndimore. Zhvarrosja e një varri masiv u zbulua në afërsi të liqenit, e cila filloi me 6 shtator të vitit 2001. Hetimi ligjor e përfundoi zhvarrosjen e varrezës masive më 14 shtator të të njëjtit vit.
Hetimi është bërë nga Gjykata e Qarkut në Uzhice, me ndihmën e mjeko-ligjorëve. Ekipi ishte i drejtuar nga patologu ushtarak Zoran Stankov. Përfaqësuesit e ICMP kanë mbikëqyrur hetimin dhe autopsinë. Përveç mbetjeve mortore, ky varr masiv ka pasur edhe një kamion frigorifer.
Sipas raportit të ekspertëve të zhvarrimeve, të paktën 48 trupa u zhvarrosën të plotë nga varri masiv pranë liqenit Peruçac. ZPZHML, megjithatë, i ka ri-shqyrtuar mbetjet e njerëzve që u morën nga ai vend, ku pati konstatuar se 48 trupa ishin të plotë dhe 84 trupa ishin të pa plotë.
Rudnica
Fshati Rudnicë është vendosur në Komunën e Rashkës në Serbinë jugore, në afërsi të Jarinjës, kalimi kufitar mes Serbisë dhe Kosovës. Varreza masive u zbulua të jetë në vendin e braktisur guror në afërsi të këtij fshati. Vendi ishte në gërmim disa herë brenda vitit 2007, mirëpo, më 13 dhjetor të 2013’ës, u zbuluan mbetjet njerëzore.
Gjatë gërmimeve të cilat zgjatën deri më 22 gusht të 2014-ës, 52 trupa u gjetën në varrezë masive.
Ekspertët mjeko-ligjorë të ZPZHML-së, EULEX-it, ICMP-së dhe ICTY-së kanë marrë pjesë në mbikëqyrjen e zhvarrosjes.
Në mes të gushtit dhe tetorit të vitit 2014, të gjitha eshtrat e gjetura në Rudnicë iu janë dorëzuar EULEX-it.
Origjina e trupave të gjetur në varrezat masive në Serbi
Krimet nga të cilat u zbuluan trupat në varrezat masive në Batajnicë kishin origjinën në Kosovë. Organet e viktimave shqiptare të vrarë në Kosovë gjatë periudhës 24 mars deri më 22 maj të vitit 1999, kryesisht ishin të Komunës së Suharekës, Gjakovës, Pejës, Fushë Kosovës, Prizrenit, Vushtrrisë, Lipjanit – të gjithë ata trupa ishin nga këto vende, mirëpo, një numër i pacaktuar i trupave të vrarë ishin edhe nga Komuna e Mitrovicës, Rahovecit, Podujevës, Istogut, Deçanit.
Organet e viktimave të krimeve të Serbisë në Kosovë në varrezën masive në qendër të zonën “13 Maji”, ishin me origjinë nga Fushë Kosova. Vrasja e të paktën 56 civilëve shqiptarë të Kosovës, duke përfshirë 15 gra dhe katër fëmijë, në periudhën nga 24 mars deri më 1 prill të 1999-ës, u gjetën në po këtë varrezë masive.
Ekzekutimi më i madh individual në këtë periudhë kohore kishte ndodhur më 1 prill në familjen Syla, kur 11 anëtarë të kësaj familje, por edhe familjes Krasniqi dhe Xheladini u vranë.
Sipas deklaratave të dëshmitarëve, krimi në Fushë Kosovë ishte kryer nga anëtarët e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë. Në vitin 1999, Departamenti i Punëve të Brendshme në Fushë Kosovë, ka ekzistuar në kuadër të Sekretariatit të Prishtinës i Punëve të Brendshme. Megjithatë, gjatë konfliktit në Kosovë, Njësia e Zhelkos-Arkanit “Tigrat”, Njësia Speciale Anti-Terror e Divizionit të Sigurisë Publike (RJB) dhe “Vukovi sa Vucjaka”, njësi kjo që erdhi nga Bosnja dhe Hercegovina, ka operuar në territorin e Fushë Kosovës.
Mbetjet mortore të 30 viktimave nga Fushë Kosovë u zhvarrosën në Batajnicë, ndërsa 22 të tjerë u zbuluan pas përfundimit të konfliktit në territorin e komunave të Prishtinës dhe Fushë Kosovës.
Emrat e katër viktimave që u zhdukën në Fushë Kosovë, janë ende në Listën e Personave të Zhdukur të KNKK-së.
SUHAREKA
Vrasja e 49 anëtarëve të familjes Berisha
Familja Berisha më 26 mars të vitit 1999, në mesin e të cilëve ishin 12 burra, ndërsa pjesa tjetër e viktimave ishin gra dhe fëmijë, shumica u vranë në picerinë “Kalabrija” në Suharekë.
Krimi në Suharekë, është kryer nga anëtarët e Departamentit të Punëve të Brendshme në Suharekë (OUP) nga Slagjan Çukariç, Radovan Tanovic, Miroslav Petkoviq dhe Milorad Nishaviq. Këta katër persona u dënuan me urdhër OUP-së nga Komandanti Radojko Repanovic.
Mbetjet mortore të 24 anëtarëve të familjes Berisha u zhvarrosën në Batajnicë, ndërsa, trupat e pesë viktimave të tjera u zhvarrosën në Suharekë në shtator të 1999-ës.
Lista e Personave të Zhdukur të KNKK-së, ende mban emrat e 20 viktimave nga kjo familje.
LANDOVICË (Komuna e Prizrenit)
Vrasja e 17 shqiptarëve të Kosovës përfshirë pesë gra dhe shtatë fëmijë, më 26 mars të vitit 1999
Krimi në Landovicë, është kryer nga një ushtri e përbashkët e ish-Jugosllavisë (VJ), por ishte operacion i udhëhequr nga Ministria e Brendshme e Serbisë.
Mbetjet mortore të gjashtë viktimave nga fshati Landovicë u zhvarrosën në Batajnicë, ndërsa pesë trupa të tjerë janë gjetur në Landovicë.
Ndërprerja e konfliktit çoi në gjetjen e katër viktimave të cilët janë gjetur në vende të tjera të Kosovës.
Emrat e dy viktimave janë ende të regjistruar në Listën e Personave të Zhdukur të KNKK-së.
BREZHANIK (Komuna e Pejës)
Vrasja e të paktën 48 kosovarëve, civilë shqiptarë, dukë përfshirë dy gra, më 27 mars të vitit 1999
Krimi është kryer gjatë një operacioni të përbashkët të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë dhe ushtrisë serbe të ish-Jugosllavisë. Mbështetje i kishin dhënë edhe Njësia Speciale e Policisë serbe dhe disa anëtarë të batalionit VJ me automjete të blinduara, të cilët ishin të vendosur në atë kohë në Pejë.
Mbetjet mortore të 40 viktimave të vrarë në Pejë, u zhvarrosën në Batajnicë; tre trupa të tjerë u zhvarrosën në territorin e qytetit të Pejës. Pas përfundimit të konfliktit, pesë emrat e viktimave u regjistruan në Listat e Personave të Zhdukur të KNKK-së.
LUBENIQ (Komuna e Pejës)
Vrasja e 48 civilëve shqiptarë të Kosovës, më 1 prill 1999.
Krimin në Lubeniq e kryen anëtarët e grupit “Çakallët” (Sakali).
Mbetjet mortore të 29 viktimave nga Lubeniqi janë zhvarrosur në Batajnicë, ndërsa mbetjet mortore të 11 viktimave të tjera u zhvarrosën pas luftës në Pejë, dhe organet e tri viktimave u gjetën në Lubeniq.
Pesë emra te viktimave ende janë të regjistruar si të zhdukur në Listën e Personave të Zhdukur të KNKK-së.
SLLOVI (Komuna e Lipjanit)
Vrasja e 40 civilëve shqiptarë, përfshirë gjashtë gra, më 15 dhe 16 prill të vitit 1999
Krimin në Sllovi, në bazë të deklaratave të dëshmitarëve, është kryer nga pjesëtarët e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë dhe “paramilitarët”.
Dëshmitarët kanë përmendur emrat dhe praninë e ushtrisë ish-Jugosllave në Sllovi, gjatë kohës kur është kryer krimi.
Autorë të këtij krimi, të cilët gjithashtu ishin banorë të këtij fshati janë serbët; vëllezërit Zhivorad, Sllobodan dhe Milovan Maksimoviq dhe xhaxhai i tyre Ljubisa Peric.
Mbetjet mortore të 15 viktimave nga Sllovia u zhvarrosën në Batajnicë, ndërsa 25 trupa u gjetën në Sllovi dhe fshatrat përreth – pas përfundimit të konfliktit.
NAKARADË (Komuna e Fushë e Kosovës)
Vrasja e 16 meshkujve, anëtarë të familjes Mirena, të cilët u vranë më 21 prill 1999
Krimi në fshatin Nakaradë, sipas deklaratave te dëshmitarëve, u krye nga pjesëtarët e Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe individëve të veshur me maska, uniforma kamuflazhi ushtarake dhe grupet e tjera rreth tyre.
Ata kishin kapur kosovarët, i kishin vrarë dhe më pas trupat e tyre janë larguar nga vendi nga policia.
Ushtria e ish-Jugosllavisë në atë kohë ishte e vendosur në Fushë Kosovë. Megjithatë, gjatë konfliktit në Kosovë, ka pasur njësite të tjera që kanë operuar gjithashtu në territorin e Fushë Kosovës, si forcat speciale, Njësia e Arkanit “Tigrat”, njësia speciale anti-terroriste “RJB” dhe njësia “Vikovi sa Vucjaka”, e cila erdhi nga Bosnja dhe Hercegovina.
Mbetjet mortore të të gjitha 16 viktimave nga fshati Nakarde, u zhvarrosën në Batajnicë.
Operacioni REKA (Komuna e Gjakovës)
Vrasja e të paktën 348 civilëve, përfshirë 36 fëmijë në Mejë – Korenicë – Dobrosh dhe fshatrat e tjera në afërsi të Gjakovës, 27 dhe 28 prill të vitit 1999
Krimet janë kryer në një operacion të nisur nën komandën e anëtarëve të Komandës së Korpusit të Prishtinës të ushtrisë ish-Jugosllave.
Pjesë në këtë krim kanë marrë edhe Brigada serbe 63 “Parashutistët” dhe Batalioni i Policisë Ushtarake.
Mbetjet mortore të 309 viktimave të këtij operacioni u zhvarrosën në Batajnicë, ndërsa trupat e 26 viktimave janë gjetur në Kosovë në fshatrat Korenicë dhe Mejë dhe vendet e tjera rreth tyre.
Emrat e 67 viktimave janë të shënuar edhe si të zhdukur.
GJAKOVË – Vrasja e 90 civilëve shqiptarë të Kosovës në mes të datave 7-11 maj 1999
Krimet në Gjakovë janë kryer gjatë konfliktit nga ushtria ish-Jugosllave dhe pjesëtarët e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë – ishte operacion i përbashkët.
Pjesë në krim morën edhe Batalioni i Policisë Ushtarake, Ushtria Territoriale në Gjakovë dhe Brigada 124 e PJP’së.
Mbetjet mortore të 77 viktimave nga Gjakova janë zhvarrosur në Batajnicë, ndërsa shtatë trupa të tjera u gjetën në Gjakovë dhe rrethinat e saj menjëherë pas kryerjes së krimit, por edhe në përfundim të konfliktit.
Në Listën e Personave të Zhdukur të KNKK-së ende gjenden edhe gjashtë emra të viktimave të cilët janë të regjistruar si të zhdukur.
VUSHTRRI – Vrasja e 71 civilëve shqiptarë të Kosovës, duke përfshirë katër gra dhe gjashtë fëmijë, të cilët ishin të dëbuar nga shtëpitë e tyre më 22 maj 1999 dhe pastaj u morën nga kolona e refugjatëve në dalje të Vushtrrisë
Numri më i madh i civilëve të vrarë rezultoi të jetë i familjes Pesoma – 64 anëtarë të kësaj familje u vranë në rrugën “Sitnicka” në Vushtrri, ndërsa pjesa tjetër e tyre u ekzekutuan në vende të tjera të këtij qyteti.
Krimet në Vushtrri janë kryer gjatë konfliktit nga Ushtria ish-Jugosllave dhe pjesëtarët e ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë – ishte operacion i përbashkët.
Pjesë në këtë krim morën edhe Brigada e 58’të e Këmbësorisë, Brigada 35’të e PJP’së dhe Brigada 122 e PJP’së.
Mbetjet mortore të 66 viktimave nga Vushtrria, u zhvarrosën në Batajnicë, ndërsa katër trupa të tjera u zhvarrosën në Vushtrri, pas përfundimit të konfliktit.
Një person ende është i regjistruar në Listën e Personave të Zhdukur të KNKK-së.
Gazeta Express e ka sjellë të përkthyer Dosjen e Fondit për të Drejtën Humanitare në bashkëpunim me Qendrën Ligjore Humanitare“Mbulimi i Dëshmive të Krimit në Kosovë; Fshehja e Kufomave”. Kjo dosje është realizuar në bazë të të gjeturave në bashkëpunim me dëshmitarët të cilët ishin pjesë e transportimit të kufomave të gjetura në varrezat masive në Serbi, por edhe në vende të Kosovës.