Shumë shqiptarë që jetojnë në Bruksel u bënë dje dëshmitarë të sulmeve terroriste. Për fat, nuk raportohet asnjë shqiptar i vrarë. Në një lidhje direkte në emisionin “Pasdite në Top Channel”, aktorja shqiptare Shpresa Bërdëllima, e cila prej disa vitesh jeton në Bruksel, tregoi momentet e vështira kur qyteti u sulmua nga kamikazët e ISIS. “Në orën 08:00 dëgjoj djalin: Mami jam mirë, mami jam mirë. Në fillim nuk po e kuptoja, ndërs më pas më tha të hapja televizorin dhe të shikoja çkishte ndodhur. U tmerrova! Ai e ka shkollën vetëm 5 minuta larg nga aeroporti. E imagjinoni çfarë tmerri kam pësuar. Djali më bëri të ditur se i mbanin të bllokuar në shkollë. Vajza më tha se do të shkonte në shkollë. Jo, i thashë.
Por, ajo këmbënguli se shkolla ishte në tjetër zonë dhe nuk kishte lidhje me shpërthimet. Doli. Trenat, nuk funksiononin, metrotë nuk funksiononin, autobuzat po ashtu. Pas 5 minutash u kthye. I thashë, pse nuk më more në telefon. Ajo mu përgjigj se, telefonat nuk punonin më dhe nuk kishte asnjë kontakt me asnjë njeri”, u shpreh aktorja Shpresa Bërdëllima. Gazetari shqiptar, Fatos Mahmutaj, i cili jeton në Bruksel ka rrëfyer momentet e para të shpërthimit.
Ai sqaron se në metro ndodhej edhe një kantier punimesh çka shuan deri diku zërat se shpërthimi i dytë mund të jetë i një akti terrorist. “4 shpërthime u kryen sot: dy në aeroport dhe 2 të tjera në metrotë e Maelbeek dhe Schumann-it. 27 të vdekur dhe 40 të plagosur”, është shprehur Mamutaj, duke shpërthyer kundër organizatorëve të tyre. “Mos gjeçi derman plehra! Shkatërruat edhe qytetin më të mirë në botë ndyrësira. Zoti na ruajt prej së keqes tuaj dhe ua ktheftë mbrapsht disa fish!”, shkruan Mahmutaj. Erisa Zykaj, korresponte e një televizioni në Bruksel, ka përjetuar ankth në mesin e shpërthimeve në Bruksel më 22 mars.
Gjatë një lidhjeje telefonike ajo ka rrëfyer çastet e frikës për fëmijën e saj, të cilin bashkëshorti i gazetares ishte nisur për ta çuar në kopsht në mëngjes, ndërsa kishin ndodhur shpërthimet. E trembur, Erisa ishte përpjekur të kontaktonte në telefon me të shoqin por pa mundur, për shkak se linjat ishin të bllokuara. Korrespondenti i gazetës së Kosovës, “Kohës Ditore”, Augustin Palokaj njofton nga vendi i ngjarjes për një seri sulmesh terroriste në Bruksel. Së pari rreth orës 8 ka pasur dy shpërthime të fuqishme në Aeroportin e Brukselit. Besohet se, sipas të dhënave të deritashme, së paku 13 persona kanë vdekur gjatë këtij sulmi dhe qindra të tjerë janë plagosur. Pak kohë më vonë ka shpërthyer një bombë e fuqishme në stacionin e Metros në të ashtuquajturin “Kvatin Evropian” në qendër të qytetit, ku gjenden ndërtesat e institucioneve të BE-së.
Gazetari tha se kishte dëgjuar këtë shpërthim të fuqishëm prej të cilit është dridhur edhe toka. Pak minuta më vonë kanë dalë të përgjakur njerëzit nga stacioni i metros që më pas u mbyll. Deputeti i PS-së, Taulant Balla, i cili ndodhet në Bruksel për punimet e Komitetit të Jashtëm të Parlementit Europian në lidhje me draft-raportin për hapjen e bisedime të anëtarësimit të Shqipërisë në BE, tha se u bë padashje dëshmitar i sulmeve terroriste. Balla postoi në rrjetet sociale disa foto dhe një video ku shiheshin shtëllunga tymi që ngrihen lart nga një dalje e metrosë dhe njerëz që vrapojnë në panik. “Brukseli nën sulme terroriste. Pas aeroportit u ktheva në stacionin e metrosë Maalbeck. Pak metra ose pak sekonda mund të ishin fatale. Edhe aty shpërthim”, thotë Balla. Deputeti socialist mbylli postimin e tij duke deklaruar se duhet luftë më e fortë ndaj terrorizmit. “Janë të pabesë”, mbyll ai postimin e tij, shkruan Shekulli.
Ambasadorja: S’ka shqiptarë të lënduar
Përfaqësuesja e Shqipërisë pranë Bashkimit Evropian, Suela Janina, është shprehur dje se nuk ka të dhëna për shtetas shqiptarë të lënduar nga sulmet terroriste në Bruksel. “Nuk kemi informacione që ndërmjet viktima të ketë shtetas shqiptarë, megjithatë ne jemi në kontakt të vazhdueshëm me të gjitha autoritetet këtu në Bruksel për të qenë sa më afër qytetarëve shqiptarë”, është shprehur Janina për “oraneës”. Ambasadorja Janina u shpreh se stafi i misionit diplomatik shqiptar në Bruksel është në gatishmëri të të gjithë shtetasve shqiptarë që jetojnë në Belgjikë dhe se po bashkëpunojnë më autoritetet belge të emergjencës. “Në momentin që u zhvilluan të dy shpërthimet kam qenë në selinë e PE sepse ishte dhe një koncidencë që sot kishim miratimin e rezolutës për Shqipërinë, diskutimin në Komisionin e Jashtëm dhe ndodhesha aty. Menjëherë pas kësaj jam zhvendosur, jam në detyrë, sëbashku me personelin kemi vendosur kontaktet e nevojshme me autoritetet belge, spitalet e Brukselit për të qenë sa më afër qytetarëve”, është shprehur Janina. Ambasada shqiptare në Bruksel ka vënë në dispozicion edhe një numër telefoni ku shtetasit shqiptarët mund të kontaktojnë për më shumë informacione. 0032 488 95 0217.
Frikë nga sulmet, masa të jashtëzakonshme dhe alarm “portokalli” në Rinas
Tabela elektronike që tregon se avioni i ngritur mëngjesin e së martës për në Bruksel u kthye në Tiranë nga udhëtimi i lënë përgjysmë, është shenja e dukshme e pasojave të sulmeve terroriste në Aeroportin e Zavendemit. Ndërkohë, policia në Aeroportin e Rinasit ka nisur kontrolle të rrepta dhe patrullime, jo vetëm me Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë, por edhe me qen të stërvitur për zbulimin e lëndëve shpërthyese. “Gatishmëria e nivelit të dytë tregon se shtohet numri i punonjësve të Policisë së Shtetit, të cilët janë në shërbim, shtohet numri i kontrolleve dhe masat e sigurisë. Janë pjesë e punës sonë policore”, tha Ermal Milori, shef i Komisariatit të Rinasit. Agjencia që ofron fluturime të drejtpërdrejta për në Bruksel dhe në Paris ka ulur qepenat. Kontrollet tashmë nuk janë më të zakonshme në Rinas, ndërsa frika reflektohet edhe te ata që presin të udhëtojnë. “Frikë e madhe është me këto që po dëgjojmë. Megjithatë, nuk u vonuam gjatë kontrolleve”, thotë një udhëtar për Top Channel. “Puna të bën të shohësh me bishtin e syrit, sepse kjo ngjarje nuk është e vogël. Është e tmerrshme të shohësh gjithë ata viktima të pafajshme, që humbin jetën për hiç gjë”, thotë një tjetër qytetar.
Shqipëria dënon sulmet terroriste në Bruksel
E gjithë klasa politike në vend dhe krerët e komuniteteve fetare kanë dënuar ashpër sulmin që ndodhi në kryeqytetin e Belgjikës. Presidenti, kreu i Kuvendit, Kryeministri, kryeopozitari Basha u solidarizuan me qytetarët e Belgjikës dhe shprehën bindje se vlerat europiane do triumfojnë mbi terrorizmin. Ndërsa kreu i komunitetit mysliman shqiptar, Skënder Bruçaj bëri thirrje që ngjarja të mos lidhet me fenë. Autoritetet më të larta shqiptare kanë dënuar ashpër sulmet që lanë pas dhjetëra viktima në Bruksel. Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, i cili ndodhet në Strasburg në takimin me Sekretarin e Përgjithshëm të KiE, Thorbjorn Jagland, shprehu keqardhjen për viktimat e sulmit terrorist.
“Ngushëllime për familjet e viktimave të shkaktuara nga akti terrorist në Bruksel si dhe gjithashtu solidaritetin e shqiptarëve për popullin belg! Në të njëjtën kohë ne jemi të përkushtuar fuqimisht për të sfiduar dhe luftuar terrorizmin. Qytetërimi është i fortë dhe ne jemi të bashkuar. Ndihemi të fuqishëm dhe të aftë për të mposhtur këto akte terroriste. Ato nuk do ta trembin kurrë demokracinë tonë. Ato kurrë nuk do t’ia dalin dot mbanë të frikësojnë qytetërimin tonë, njerëzit tanë, jo vetëm sepse jemi vërtet të bashkuar, por qytetërimi ynë është i fortë dhe ne do ta mposhtim këtë kërcënim”, është shprehur Presidenti Nishani.
Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, u dërgoi ngushëllime familjeve të viktimave, dhe shprehu vendosmërinë e Shqipërisë për të qëndruar në krah të partnerëve tanë euro-atlantikë për të ç’rrënjosur celulat terroriste dhe shprehu solidaritetin e plotë me Belgjikën dhe me të gjithë qytetarët e Brukselit. “Ne jemi në solidaritet të plotë me Belgjikën dhe me të gjithë qytetarët e Brukselit. Terrorizmi nuk ka vend në Evropë. Shqipëria është përkrah partnerëve tanë euro-atlantikë për të ç’rrënjosur celulat terroriste. Sulmi ndaj Brukselit, është sulm ndaj gjithë Evropës dhe njerëzimit. Ngushëllime familjeve të viktimave dhe shërim të shpejtë të plagosurve.
Ne jemi të vendosur së bashku të mbrojmë vlerat demokratike që na bashkojnë”, theksoi kreu i Kuvendit. Ndërkohë dhe kryeministri Edi Rama dënoi të martën sulmet terroriste në kryeqytetin belg, Bruksel. “Bombat që mbjellin vdekje për të pafajshmit në zemrën e Europës do ta ringrenë Europën për ta fituar në emër të lirisë këtë luftë të re”, shkruan Kryeministri Rama në rrjetin social “Facebook”. Edhe kreu i PD-së, Lulzim Basha dënoi sulmet terroriste në Bruksel ndërsa i shprehu ngushëllime familjeve që humbën të dashurit e tyre. “Aktet terroriste sot në kryeqytetin e Europës morën dhjetëra jetë të pafajshme. Ato janë dëshmi e urrejtjes së verbër çnjerëzore e të pafe që ushqen dhe motivon terrorin. Partia Demokratike solidarizohet me popullin dhe autoritetet belge dhe europiane në këto momente të vështira”, shkruan Basha në rrjetin social “Facebook’.
Bruçaj: Terrori nuk ka lidhje me fenë, sidomos me fenë islame
Kreu i komunitetit Mysliman Shqiptar, Skënder Bruçaj, ka dënuar po ashtu sulmet terroriste që ndodhën dje në Bruksel. “Para pak ditësh në Turqi dhe tani në kryeqytetin e Europës, aktet terroriste dhe terrori kanë goditur përsëri. Mallkuar qoftë terrori dhe të gjithë aktet terroriste. Të gjithë ata njerëz që veprojnë në emër të terrorit. I lutem Zotit të Madhëruar që të sjellë paqe kudo në botë dhe shpresoj që siç kjo ditë Novruzi, ditë e re, le të jetë dhe për njerëzimin një fillim i një dite të re me paqe, mirëkuptim dhe respekt me njëri- tjetrin. Terrori nuk ka lidhje me fenë, sidomos me fenë islame, nuk e mendoj”, është shprehur Bruçaj.
Bushati: Solidarizohemi me popullin belg kundër terrorizmit
Edhe kreu i diplomacisë, Ditmir Bushati, është solidarizuar me autoritetet dhe popullin belg në përballimin e situatës dhe në luftën e përbashkët kundër terrorizmit. “I shokuar nga sulmet terroriste në zemrën e Evropës së Bashkuar. Ngushëllime familjeve të viktimave. I gjendemi pranë Belgjikës dhe popullit belg në këto momente të vështira. Shqipëria solidarizohet me autoritetet dhe popullin belg në përballimin e situatës dhe në luftën e përbashkët kundër terrorizmit. Liria, Demokracia dhe vlerat europiane do të triumfojnë ndaj terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm.
Totozani: E keqja nuk do të mundet kurrë të mposhtë fuqinë e vlerave
Avokati i Popullit, Igli Totozani, shpreh dhimbjen e thellë për humbjet e jetëve njerëzore në sulmet terroriste në Bruksel, si dhe dënon me forcë këtë ngjarje të rëndë, këtë sulm agresiv drejtuar jo vetëm popullit belg, por gjithë njerëzimit. Me ndenjën më të lartë të solidaritetit , z. Totozani shpreh ngushëllimet dhe mbështetjen për familjarët e viktimave, dhe këtë vend mik, lider të demokracisë. “Terrorizmi po shkakton tragjedi dhe jetë të humbura padrejtësisht, por kjo është një e keqe që nuk do të mundet kurrë të mposhtë fuqinë e vlerave më të mira njerëzore, si dhe forcën e demokracisë, të drejtave të njeriut dhe lirisë”, thekson Avokati i Popullit, Igli Totozani, në këtë ditë të rëndë për Belgjikën, Europën, por edhe mbarë botën e civilizuar dhe demokratike. /Telegrafi/