Site icon Telegrafi

Dëshmitë britanike për Xhafer Devën e Rexhep Mitrovicën dhe historianët pansllavistë shqiptarë

Nga: Daut Dauti

Shërbimi Sekret Ushtarak Britanik i ka përgjuar komunikimet e nazistëve gjermanë në lidhje me formimin dhe operacionet e Divizionit “Skenderbeg”. Sot në arkivin britanik ekziston një dosje voluminoze e kësaj pune. Por, nuk është shënuar asnjë veprim i këtij divizioni për qëllimin që ishte formuar.

Në fotografinë e parë të postuar këtu (Document Top Secret), të datës 12 maj 1944, bëhet me dije për një udhëtim të Xhafer Devës dhe të Ago Agait, të cilët kthehen nga Gjermania me aeroplan përmes Beogradit. Po aty thuhet se njësitë shqiptare janë duke dështuar kundër komunistëve [pason teksti i cili për përgjuesit ka qenë i palexueshëm]. Por, fjalia e fundit është e qartë: “Në këto rrethana, prospekti i veprimeve të [Divizionit] ‘Skenderbeg’ është zero”.

Në dokumentin e dytë zyrtari gjerman në Tiranë, me siguri udhëheqës i shërbimit sekret nazist, flet për një milici të armatosur e cila e ka ndihmuar Divizionin “Skenderbeg”. Kur kjo njësi është bombarduar nga aeroplanët britanikë, të armatosurit i kanë hedhur armët dhe kanë ikur në mal. Në pasusin e dytë, zyrtari gjerman ankohet në Berlin për shkak se fondet që i janë dërguar atij, janë të pamjaftueshme. Ai kërkon që Kaltenbrunner (ministri i brendshëm gjerman) të dërgojë më shumë para në Tiranë. Këto para janë të dedikuara për ryshfete. D.m.th. zyrtari gjerman thotë se Qeveria e Shqipërisë, gjegjësisht xhandarmëria dhe zyrtarët tjerë, kërkojnë ryshfete nëse gjermanët dëshirojnë ta kryejnë ndonjë punë përmes tyre.

Ky dokument nuk flet vetëm për korrupsion. Është dokument që bënë me dije se Qeveria shqiptare e asaj kohe, e kryesuar nga Rexhep Mitrovica, nuk ka qenë e themeluar e as e kontrolluar nga gjermanët. Sikur të ishte e tillë, nuk do të kishte nevojë për ryshfete.

Në fakt, shqiptarët, ndoshta të vetmit në Evropë, as që kanë patur lëvizje fashiste. Por, gjërat kanë ndryshuar pas Luftës së Dytë Botërore kur historia e shtetit komunist i ka shpallur fashistë apo bashkëpunëtorë të fashizmit të gjithë ata që nuk ishin komunistë apo që edhe ishin komunistë, por që nuk u pajtuan me sistemin e vendosur në Shqipëri pas viti 1945.

Qeveria e Rexhep Mitrovicës, ku Xhafer Deva ishte ministër i Brendshëm, nuk ka bërë asnjë veprim fashist, siç kanë bërë të gjitha qeveritë evropiane në shfarosjen e hebrenjve. Kjo qeveri nuk e ka bërë as “masakrën” për të cilën akuzohet kinse ka ekzekutuar qindra antifashistë.

Qeveria e Rexhep Mitrovicës ka qenë ndër qeveritë me njerëz të arsimuar dhe patriotë. Shumica e anëtarëve të kësaj qeverie kanë studiuar në Austri ose në Gjermani. Por, Rexhep Mitrovica, së bashku me grupin që u morën vesh, e ka luajtur rolin e domosdoshëm. Ky grup i intelektualëve, menjëherë pas kapitullimit të Italisë dhe rënies së qeverisë së atëhershme shqiptare, ka treguar pjekuri duke e zbatuar parimin themelor politik i cili thotë se vendi nuk guxon të mbetet pa qeveri asnjë sekondë; çfarëdo që është një qeveri, është më e mirë se ajo që nuk ekziston.

Qeveria e Rexhep Mitrovicës dhe Xhafer Deva mund të akuzohen ndoshta për përzënien e serbëve. Kështu së paku thotë historia e Serbisë. Dhe, sot të gjitha akuzat për qeveritë e shqiptarëve gjatë luftës, kur qenë bashkuar pjesërisht trojet shqiptare, kanë origjinë në Serbi. Askund tjetër. Asnjë nga anëtarët e këtyre qeverive nuk kanë qenë kurrë të akuzuar nga askush, pos Beogradit dhe Tiranës komuniste, për krime të luftës apo për ndonjë lloj tradhtie. Kjo është për shkak se nuk kishte baza për akuza.

Por, një gjë duhet mbajtur në mend. Këto qeveri kanë kontribuar shumë në aspektin kombëtar. Pa këto qeveri nacionalizmi shqiptar jashtë Shqipërisë me siguri do të vdiste pas Luftës së Dytë Botërore. Këto qeveri e mbollën patriotizmin te shqiptarët. Këto qeveri e bindën shqiptarin e pashkolluar të Kosovës se mund të krijonte shtet me administratë dhe forca të armatosura shqiptare. Këto qeveri kanë dështuar, por pas vetes kanë lënë idenë patriotike.

***

Ne nuk duhet të habitemi kur ndërkombëtarët flasin keq për shqiptarët. Ata njohurinë e kanë nga literature serbe. Teoria pansllave me shekuj e ka plasuar të “vërtetën” për shqiptarët në Evropë e gjetiu. Kjo teori e ka paraqitur shqiptarin si mysliman të egër i cili duhet të dëbohet nga Evropa. Në Luftën e Dytë Botërore kjo teori e ka stolisur shqiptarin me petkun e fashistit. Duhet të dënohet fashisti nëse mbetet gjallë. Pas dënimit, duhet të shpërngulet. Është teori e themeluar mirë dhe vetëm para dy dekadave ka filluar të demaskohet dhe të afrohet pamja e vërtetë e historisë shqiptare.

Por, ky nuk është vetëm problem me audiencën ndërkombëtare. Teoria pansllave e interpretimit të historisë qëndron këmbëkryq në mesin e “intelektualëve” shqiptarë. Shkollat tona të historisë që janë themeluar pas Luftës së Dytë Botërore kanë pasë program sovjetik që në bërthamën e saj ka qëndruar pansllavizmi. Edhe sot funksionon kjo shkollë. Dikujt mund t’i kujtohet thënia e një “historianit” tonë: “Nga Skenderi del beteri”. “Historiani” e kishte fjalën për djemtë e Isa Boletinit. Ka qenë periudha kur shqiptarët janë detyruar të flasin e të veprojmë kundër vetvetes. Këtë detyrim e ka imponuar fituesi i luftës, që ishte pala që nuk e donte populli. Pa marrë parasysh mendimin e imponuar, populli në Kosovë nuk i ka harruar kurrë “qato tri ditë Shqipni”.

Prandaj, rasti i Xhafer Devës ka dy interpretime edhe në mesin e shqiptarëve. Shkurtimisht, faktet historike flasin me sa vijon. Kontakti i parë i Xhafer Devës me gjermanët ka qenë në prill të vitit 1941 kur ushtria e tyre furishëm e okupoi Jugosllavinë dhe e morën Trepçën nën administrim. Gjenerali Eberhard në Mitrovicë e mblodhi parinë shqiptare për të biseduar. Në mesin e tyre ka qenë edhe Xhafer Deva, që vinte nga një familje e njohur mitrovicase. Në fakt, mendohet që kontaktet e para të Devës me gjermanët janë më të hershme për shkak të studimeve të tija dhe për shkak se është sugjeruar se ai ka punuar edhe për shërbimin sekret gjerman. Por, këtë gjë duhet lënë anash për shkak se nuk mund të vërtetohet.

Sidoqoftë, në këtë takim të dy palët janë marrë vesh se pushteti lokal i Mitrovicës, që më parë ishte në duar të serbëve, tashti të kalonte në duart e shqiptarëve dhe të hapen shkollat në gjuhën shqipe. Për herë të parë, natyrisht. Gjermanët nuk bënë asgjë më shumë se që e barazuan shumicën e shtypur shqiptare me pakicën serbe. Qeveria serbe kuislinge në Beograd e kundërshtoi këtë veprim, por më shumë se kaq ajo nuk mund të bënte. Xhafer Deva u bë administrator i vendit. Gjermanët bënë një varg favoresh në dobi të shqiptarëve. Një nga marrëveshjet ishte që gjermanët të lejonin, madje edhe të ndihmonin shpërnguljen e serbëve kolonistë. Një marrëveshje tjetër ishte formimi i një policie shqiptare me një mijë veta që do të komandohej nga Pajaziti, djali i Isa Boletinit. Më vonë do të dilte ideja e formimit të Divizionit “Skenderbeg”.

Lidhja e Xhafer Devës u bë edhe më e ngushtë kur kapitulloi Italia dhe kur ra qeveria e atëhershme shqiptare. Shqipërinë e kaploi një kaos dhe populli ishte në prag të luftës civile. Vendin e italianëve e zunë gjermanët dhe qeveria e re u formua me kryeministrin Rexhep Mitrovica. Xhafer Deva me siguri hyri në këtë qeveri, si ministër i Brendshëm, me insistimin e gjermanëve. Por, kjo qeveri e shpëtoi vendin nga katastrofa.

Zëvendësimi i prezencës ushtarake italiane me gjermanët u bë me marrëveshje. Gjermanët e njohën ekzistimin e Shqipërisë që atëherë përfshinte një pjesë të Maqedonisë dhe Kosovës dhe krijuan autonomi për pjesët tjera shqiptare, siç ishte p.sh. Sanxhaku i Novi Pazarit. Sovraniteti i suspenduar nga italianët u kthye sërish. Shkurtimisht, marrëveshja ishte kështu: gjermanët kërkuan prezencë në disa pika ushtarake në Shqipëri duke u zotuar se do ta mbronin Shqipërinë dhe se do të largoheshin nga aty me përfundimin e luftës, kurse Shqipëria do të njihej ndërkombëtarisht së bashku me pjesën e Maqedonisë dhe Kosovën. Kjo ka qenë një marrëveshje që i goditi rëndë aspiratat serbomëdha. Serbët nuk e pranuan dhe vazhduan me akuza për fashizëm të shqiptarëve. Serbët “zbuluan” një varg të fashistëve shqiptarë që nuk ekzistonin dhe shpikën edhe krimet që kinse shqiptarët ushtruan ndaj hebrenjve.

Sidoqoftë, brenda këtij territori shqiptar që iu mor Jugosllavisë, gjatë tri viteve u shënua një përparim i madh kulturor dhe ekonomik i shqiptarëve. Shqiptarët e themeluan administratën e vet, krijuan një forcë ushtarake të cilën çetnikët serbë e provuan vetëm një herë dhe pasi që pësuan debakël më nuk guxuan të maten me shqiptarët. Cili është ai shqiptar që nuk do ta pranonte këtë marrëveshje, e cila e realizonte ëndrrën shqiptare?

Nga kjo që shihet, në atë kohë, Xhafer Deva dhe nacionalistët tjerë i kanë pasë dy rrugë për t’i ndjekur: e para që të vazhdonin me programin e shtetit shqiptar që u zgjerua konsiderueshëm edhe pse jo në tërësi sipas shtrirjes etnike, ose t’iu bashkoheshin komunistëve që kishin synime tjera.

Pra, ka ekzistuar një marrëveshje e qeverisë së Rexhep Mitrovicës me gjermanët. Por, kjo nuk e bënë këtë qeveri kuislinge. Si bëhet kuislinge një qeveri e cila e zgjeron territorin dhe merr garanci të ekzistencës nga një superfuqi e kohës? Kuislingë janë ata që e humbin territorin e jo që e zgjerojnë. Kuislingë janë ata që i dorëzojnë interesat kombëtare e jo që i përparojnë ato. Tekefundit, marrëveshje me gjermanët fashistë kanë pasë shumë shtete, përfshirë Britaninë e Madhe dhe Bashkimin Sovjetik. Por, kjo gjë nuk i bënë këta e as Xhafer Devën fashist.

Në luftë nuk ka rrugë të tretë. Dëshironi ta përkrahni Xhafer Devën, i cili i dëboi serbët nga Kosova dhe vendosi pushtet shqiptar apo jeni me komunistët dhe serbët që nuk e dëshironin këtë realitet? Variantin e komunistëve e kemi përjetuar. Është vendim i vështirë t’i përzësh njerëzit qofshin ata edhe serbë kolonë. Por, lufta këtë punë e ka. Kush nuk vritet, dëbohet nga vendi nga forcat fituese. Kështu ka ndodhur gjithmonë në Evropë e gjetiu. Madje, edhe në luftën e fundit mes shqiptarëve dhe serbëve në vitin 1999 ka ndodhur mu kjo gjë.

Nëse jeni kundër Xhafer Devës, dihet çfarë qëndrimi keni dhe kush ua ka krijuar. Varet nga edukimi (influenca) që keni nga lënda e historisë, nga ndjenjat për vendin tuaj dhe nga përvojat e luftës. Por, një gjë që duhet pasë parasysh është fakti se në sytë e serbit primitiv dhe pushtetit të tij, Xhafer Deva ka mbetur armiku më serioz i idesë serbomadhe. Këtu duhet kërkuar arsyen që Serbia ende ruan një urrejtje të madhe për këtë njeri. Dhe, jo vetëm kaq, Serbia ka pasë mundësi që këtë urrejtje ta implantojë edhe në mendjet e shqiptarëve. Qëllimi ka qenë që shqiptari të ndjehet i mposhtur dhe me faj të përjetshëm. Në rastin më të mirë të ndjehej i dorës së dytë dhe largohej nga idetë për barazi me tjerët.

Narracioni i Tiranës komuniste dhe Beogradit të të gjitha regjimeve, përfshirë të sotmin për Xhafer Devën, është shtypje e idesë dhe guximit të shqiptarëve të Kosovës për shtet të tyre. Nuk ka të bëjë me fashizëm. Fashizmi është përdorur për ta mbështjellë përmbajtjen. /Telegrafi/

Exit mobile version