Një grua që ishte dëshmitare e rrëzimit të aeroplanit për transportim mallrash të postës së shpejtë DHL në Lituani, ka bërë të ditur se aeroplani fluturoi pak metra mbi veturën e saj, para se të përplasej dhe të digjej i tëri.
“Zhurma në fillim ishte si e një lloj rakete. Kaloi diçka sipër kokës time – pra kaloi pranë veturës time”, tha ajo – duke u ndjerë me fat që i shpëtoi vdekjes, transmeton Telegrafi.
“Jam 1.69 metra e gjatë dhe nëse e llogarisim aq ishte distanca që aeroplani fluturoi mbi veturën time. Më pas u ngrit paksa dhe ra në tokë duke u rrokullisur”, shtoi ajo.
Aeroplani Boeing 737-400 po udhëtonte nga qyteti gjerman Leipzig e për destinacion kishte kryeqytetin lituanez Vilnius, dhe ishte vetëm një kilometra larg pistës së paraparë për të aterruar.
Shoferët e veturave që kaluan pranë filmuan zjarrin që shpërtheu nga momenti i përplasjes së fluturakes, derisa kamerat e sigurisë kanë kapur këtë moment nga kënde tjera. /Telegrafi/