Në seancën e sotme për rastin “Titanik” ka dëshmuar ish-shefja e Sektorit për Punë Administrative.
Ajo tha se në mënyrë joligjore janë lëshuar letërnjoftime, ndërsa numri më i madh i tyre sipas saj, ka qenë në komunat ku atëherë OBRM-PDUKM-ja ka pasur rejting të ulët, përcjell Telegrafi Maqedoni.
E pyetur nga prokurorja Lile Stefanova, Galevska tha se së bashku me shefat e komunave tjera, janë ftuar tek shefi i atëhershëm i kabinetit të ministrit të Punëve të Brendshme Kire Todorovski, ku u është thënë se duhet të nxjerrin letërnjoftime.
“Asnjëherë nuk kam menduar se pas kësaj ndodh diçka tjetër. Siç më kujtohet, atëherë në ato hapësira për shkurt është futur edhe ministrja e atëhershme e Punëve të Brendshme Gordana Jankulloska, e cila vetëm pyeti nëse është gjithçka në rregull”, tha Galevska.
Ajo tha se pas pothuajse dhjetë ditë sërish ka realizuar takim me Kiril Todorovskin dhe e ka pyetur si do të zhvillohet e gjithë puna pas çfarë ai i ka thënë se do të vijnë njerëz nga Prespa dhe do t’u jepen letërnjoftime, ndërsa për të gjithë këtë për kontakt do të jetë Munir Pepiq, i cili personalisht do të vinte tek ajo, ndërsa me qëllim që mos t’ua përgjojnë bisedat telefonike.
Ajo ka theksuar se menjëherë i është bërë e qartë se është futur në lojë dhe se se kjo nuk do të përfundojë, duke theksuar se ka qenë e frikësuar për sigurinë e saj, si dhe për sigurinë e familjes së saj.
Përveç ish-kryeministrit Nikolla Gruevski, i cili ndodhet në arrati, në “Titanik” të akuzuar janë edhe Kiril Bozhinovski, Mile Janakieski, Gordana Jankullovska, Biljana Brishkovska Boshkovski, Ilija Dimovski, Munir Pepiq, Edmond Temellko, Leko Ristoski, Kiril TOdorovski, Katerina Vellovska, Stanko Korunovski, Kosta Markovski, Dragçe Dragçeski, Marjan Nakevski, Goce Janevski, Xhezmi Ahmet, Robert Davitkov, Dalibor Aleshkoviq dhe lenka Rashjakovska.
Ata janë të dyshuar për bashkëpunim kriminal, shkelje të së drejtës zgjedhore, shkelje të lirisë së përcaktimit të votuesit, ryshfet gjatë zgjedhjeve dhe votimit, shkatërrim të materialit zgjedhor dhe keqpërdorim të mjeteve për financim të fushatës zgjedhore./Telegrafi/