Në seancën e sotshme gjyqësore për dhunën në Kuvend më 27 prill, dëshmitari Antonio Koçkov njohu disa prej të akuzuarve për dhunën ndaj Ziadin Selës. Duke u përgjigjur në pyetjet e prokurorit, Koçkov shpegoi se Sela ka qenë i rrahur brutalisht dhe ka besuar se ai ka qenë i vdekur. Dëshmitari ishte i qartë se ai ka hyrë në sallë i porositur nga dikush dhe ka qenë i detyruar që të shfaqet vetëm sa ta shohin, por nuk tregoi se kush ka qenë porositësi.
“Dëgjoja thirrje ‘Mbyte shqiptarin’, ‘T’i tregojmë këtij se a ekzistojnë maqedonasit’, i rrëfeu dëshmitari gjykatës.
“Në fillim isha në largësi prej 10 metrash e pastaj kur dëgjova zëra dhe pashë afro dhjetë veta që kishin rrethuar dikë dhe e godisnin sa kishin forcë, u afrova. E pashë Ziadin Selën në tokë. E godisnin me shqelma nga koka deri tek këmba. Ai nuk jepte shenja jete, trupin e kishte të lëshuar, fytyrën, kokën e deformuar. Dikush tha, vdiq njeriu, dhe thanë duhet ta largojnë jashtë. Sipas vlerësimit tim, ai edhe me dy tre goditje mund të vdiste. Unë në atë moment mendoja se tashmë kishte vdekur. Përshtypja ime ishte se atë ditë, dikush duhej të vdiste. Ashtu ishte atmosfera”
Dëshmitari Koçkov tha se ai e kishte shpëtuar Selën së bashku me disa prej të akuzuarve, por se pasi kishin arritur ta largonin Selën nga turma, Kire Gjorgievski kishte vazhduar ta godasë atë dhe qëllimi i tij për ta kapur Selën dhe për ta hequr nga salla, sipas dëshmitarit, ka qenë vetëm që ta tregojë si trofe.
“Kire Gjorgievski më dukej se e mbante Selën si trofe, për të treguar çfarë ka bërë. Derisa e largonim kishte një korridor njerëzish të pozicionuar anash që vazhdonin ta godisnin. Kur e larguam nga turma, Kire Gjorgjievski e goditi Selën në kokë me sa kishte forcë. Të mos kishte ardhur një njeri tjetër që filloi ta kontrollojë Selën, mendoj se ai do të vazhdonte ta godiste”
Dëshmitari tha se Selën e kanë nxjerrë me xhup të maskuar, nga xhami anësor, me shkallë të emergjencës. Në tentim për ta larguar sa më shumë nga turma, e kanë hypur Selën në katin e tretë derisa njësitet speciale kishin ardhur për ta marrë dhe dërguar në spital./Shenja/
https://www.youtube.com/watch?v=8Rt0RjKR6fA