Pejë-Në gjykimin ndaj të akuzuarit Eraj Temaj, i cili ngarkohet për rrezikim trafikut publik, ku si pasojë ka vdekur 22-vjeçari J.T., dëshmitari Samir Temaj tha se të gjithë në fshatin Shtupel kanë bërë manipulime duke mos e treguar mënyrën e saktë se si kishin ardhur deri tek rasti kritik.
Dëshmitari Temaj tha se natën kritike kishte qenë në shtëpi kur e kishte telefonuar zyrtari policor Agron Dallaveraj, i cili e ka njoftuar që tani i njeri T. ishte në spital.
Ai tha se pas disa minutave së bashku me Bislim dhe Rasim Temaj, kishin marrë drejtimin për në Klinë, duke shtuar se pas bisedës së Bislimit me Muratin njëherë janë nisur për në Pejë e mandej për në Prishtinë pasi që të ndjerin e kanë dërguar në QKUK.
Dëshmitari tha se pasi që kishin mbërritur në spital së bashku me 4 djemtë të axhës së tij kanë hyrë në spital dhe J.T e kanë parë të shtrirë e ku prezent aty tha se kishin qenë Behar, Murat dhe Driton Temaj.
“Në spital J. nuk ka pasur vetëdije vetëm ka qitë shkumë prej goje, si e lëshojshin ineksionet ai fillonte me të gjithë forcën me u zgju por mjekët e kanë ndaluar dhe kapur. Mjekët thanë se nuk mundemi ta lëmë kështu se është në gjendje të keqe”, tha dëshmitari Samir.
Ai tha se ku e kishte pastruar tani të njërin T. tha se kishte hasur në disa lëndime të tij në trup.
“E them haptas, i gjithë fshati Shtupel se janë marrë me manipulime nga ta, se fillimisht është thënë se është rrezu nga traktori, pastaj duke luajtur futboll, pastaj prej epilepsisë është rrëzu, ndërsa e fundit vjen që është rrëzu nga bagazhi, edhe ne si familje na ka bërë me dyshu se këtu po fshehët diçka e madhe”, tha dëshmitari Samir Temaj.
Nga pyetja e mbrojtësit së të akuzuarit, avokatit Flamur Kelmendit se pse nuk i ka thënë këto në polici si provë dhe dëshmi, ai tha se nuk është obligim i tij të merret me këtë çështja, ngase sipas tij kjo është punë e organeve përkatëse, duke shtuar se në gjykatë ka ardhur ta tregoi të vërtetën se çka ka parë dhe dëgjuar.
Tutje, përfaqësuesi i palës së dëmtuar avokati, Xhemajl Ademaj, propozoi që për zbardhjen e rastit dhe vërtetimin e gjendjes deri tek rrëzimi i tani të ndjerit T. të organizohet rikonstruimi i vendit të ngjarjes, ku si ekspert propozoi që të caktohet Ylli Koshi.
Propozimi i avokatit Ademaj u aprovua nga gjyqtarja rastit Sabrije Raci.
Ndërkaq, mbrojtësi i të akuzuarit Temaj, avokati Flamur Kelmendi, tha se eksperti i komunikacionit nuk kishte kryer punën si duhet në aspektin profesional.
Ai propozoi që të bëhet ekspertizë e re e komunikacionit dhe rikonstruimi i vendit të ngjarjes, ku si ekspert propozoi që të caktohet Nol Dedaj.
Ndryshe, sipas aktakuzës së siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, i akuzuari Eraj Temaj, po ngarkohet se ka kryer veprën penale “Rrezikim i trafikut publik”, sepse më 27 maj 2022, rreth orës 21:14 në fshatin Shtupel të Klinës, nga pakujdesia kishte shkelur ligjin mbi trafikun publik apo transportin rrugor dhe rrezikoi jetën e njerëzve, e cila rezultoi me vdekjen e këmbësorit tani të ndjerit J.T.
Në aktakuzë thuhet se derisa i pandehuri Temaj, ishte duke qëndruar në rrugë së bashku me shokët e tij, në një moment niset me automjetin e tij me qëllim që ta largojë veturën nga rruga, aty viktima J.T., njëri nga shokët e të pandehurit ishte ulur mbi bagazh të automjetit, i akuzuari Temaj nuk e vëren fare këmbësorin e ulur mbi bagazh të veturës së tij dhe gjatë lëvizjes së veturës J.T humb stabilitetin e tij fiksues dhe për pasojë rrëshqet dhe bie në sipërfaqe të fortë asfalt duke rënë me kokë, me ç‘rast pëson lëndime të rënda trupore, ku gjatë trajtimit mjekësor pranë QKUK-së, në Prishtinë, i njëjti ndërron jetë më datë 16 korrik 2022, si pasojë e aksidentit.