Gjatë gjykimit të Millosheviqit në Tribunalin për krime të luftës në Hagë, Ratomir Taniq, në një dëshmi të gjatë lidhur me krimet serbe gjatë luftës në Kosovë, që sollën intervenimin e NATO-s, paraqiti një varg akuzash të rënda kundër kryetarit serb, duke u bazuar nga shumë takime që kishte pasur me personat që shërbenin në sigurimin e shtetit serb dhe të ushtrisë jugosllave me të cilët kishte biseduar. Në fillim, ai kishte kërkuar nga gjykata që identiteti i atyre personave të mbetet sekret.
Mirëpo, në një moment, Taniq në seancë të hapur, pranoi të fliste me emra konkret. Ai tha se kishte kontaktuar më së shumti me krye shefin e SDB-së (Shërbimi i Sigurisë Shtetërore), Zoran Mijatoviq, dhe një oficer të SDB-së që ishte në Kosovë, Bogdan Tomash. Ai dëshmoi se ka ekzistuar plani “Potkovica” (“Patkoi”) për dëbimin e shqiptarëve të Kosovës.
Ishte ky një plan i vjetër ushtrimesh ushtarake për neutralizimin e pikave të rezistencës së shqiptarëve në rast të agresionit nga Evropa Juglindore që do të përkrahte shqiptarët. Në vitin 1998 ai plan u aktivizua me një kuptim tjetër.
Pyetjes që gjyqtarit se a iu ka kundërvu dikush këtij plani, ai thotë se këta ishin Shefi i SDB-së, Jovica Stanishiq, zëvendësi i tij, Mijatoviq, dhe kryeshefi i shtabit të përgjithshëm të Ushtrisë, Momçillo Perishiq, shefi i sigurimit të Ushtrisë gjenerali, Aleksandër Dimitrijeviq, Dusha Mihailloviq, Zoran Liliq, Nebojsha Çoviq.
Taniq dëshmoi se Perishiqi i ka treguar edhe letrën që ia ka dërguar Millosheviqit në korrik të vitit 1998, ku i tregon se ushtria po përdorë shumë më tepër dhunë, pa seleksionuar cakun, dhe se ekzistojnë sisteme paralele të komandimit të njësive të caktuara. Një version i asaj letre është nxjerr nga libri i Dejan Llukiqit dhe Pero Simiqit “Vatre i potop” (Zjarret dhe fundosja) dhe dëshmitari, aty një gjykatës, e vërteton autenticitetin e letrës.
Taniqi thotë se nga drejtuesit e SDB-së dhe nga përfaqësuesi i partisë Nova Demokratija, Dushan MIhailoviq, atëherë ka dëgjuar se Millosheviqi ka pasur “linjë private të komandimit”, përmes Komisionit Shtetëror për Kosovën në të cilin ishin Nikolla Shainoviq,, Millomir Miniq, Zoran Angjellkoviq, Dushan Matkoviq, gjenerali Nebojsha Pavkoviq dhe “gjenerali Veliçkoviq”. Sipas këtij dëshmitari, komanda e Korpusit të Prishtinës, në krye të së cilës ishte Pavkoviqi, ka zbatuar urdhrat e Shainoviqit, Miniqit e të MUP-it (Ministria e Punëve të Brendshme).
Taniqi dëshmoi se ka ekzistuar dokumenti i shkruar për operacione kundër UÇK-së që ishte në kundërshtim me ligjin dhe rregullat e shërbimit.
Sipas Taniqit, së pari do të lejohej viktimizimi i një numri të vogël të serbëve, në mënyrë që të krijohen tensione, dhe atëherë të veprohet me forca të shumëfishta përtej çdo rregulli – për të vrarë sa më shumë pjesëtarë të UÇK-a dhe civilë dhe për të shkatërruar pasurinë e tyre. Ai kishte theksuar rastin e sulmit në Prekaz dhe operacionin në Deçan.
Dëshmitari tregon se urdhrat e Millosheviqit për ato aksione ua kanë përcjellë në terren pjesa civile e Komisionit, si Shainoviqi dhe ministri i punëve të brendshme, Vllajko Stoilkoviq
Taniqi pastaj tregon se nga zëvendësi i shefit të SDB-së, Mijatoviq, ka dëgjuar se Millosheviqi nuk lejon SDB-të të marrë pjesë aktive kundër UÇK-së dhe drejtuesve të saj të vërtetë. Pyetjes se si ka reaguar Millosheviqi ndaj atyre raportimeve për viktimat civile në një pritje të organizuar nga partia JUL, por edhe nga burime tjera, ka dëgjuar se ekziston përkrahje kolektive për terrorizimin e shqiptarëve, ndërsa vrasja e civileve në këso konfliktesh luftarake arsyetohet si pasojë e konfrontimit të armatosur.
Dëshmitari ka thënë se ka qenë i pranishëm kur në tetor 1998, në prag të marrëveshjes Millosheviq-Holbrooke, nënkryetari i atëhershëm i qeverisë serbe, Valdimir Shtambuk, në takim me ambasadorët e Gjermanisë dhe Britanisë në Ambasadën gjermane në Beograd, ka thënë se “Beogradi zyrtar nuk ka asgjë kundër një bombardimi të vogël nga NATO”.
Taniqi thotë se ka protestuar për këto fjalë, por Shtambuku e ka arsyetuar këtë, se “një bombardim i vogël” i NATO-së do të ishte alibi e shkëlqyeshme për vazhdimin e ndjekjes dhe dëbimit të shqiptarëve dhe të opozitës serbe, ngase në luftë askush nuk pyet për asgjë.
Ai tregoi se e ka ditur paraprakisht se NATO do të bombardojë televizionin shtetëror serb (RTS) dhe se kjo informatë, përmes SDB-së, i është dërguar Millosheviqit. Nuk ka dyshim se ai e dinte dhe shtoi se SDB-ja ka pasur edhe vërtetim nga disa burime tjera. Dëshmitari tregoi se me lejen e SDB-së, gjatë kohës së bombardimeve ka qenë dy herë jashtë vendit në mision për të gjetur zgjidhje për ndaljen e bombardimeve.
Ka pas propozim që të ndërpritet bombardimi përkohësisht për festën katolike, dhe me atë rast të lirohen tre ushtarë amerikanë që i kishin zënë robër forcat jugosllave dhe se Millosheviqi ka paralajmëruar se do ta pranonte këtë. Taniqi pohon se përmes altoparlantit ka dëgjuar bisedën e Dushan Mihailloviqit dhe Millan Millutinoviqit, kur ky i dyti e pyet të parin pse nuk ka ndërprerje zjarri siç është premtuar, Millutinoviqi është përgjigjur: “Do të ketë ndërprerje më vonë, ngase nuk i kemi mbaruar të gjitha punët në Kosovë”
Dëshmitari pohon se në prill të vitit 1999 e ka dëgjuar bisedën e nënkryetarit të atëhershëm të qeverisë federative, të Vuk Drashkoviqit me Millosheviqin. Millosheviqi i thotë Drashkoviqit se nuk ka ndërprerje të zjarrit edhe për disa kohë, ngase Serbisë dhe Jugosllavisë i duhen viktimat tjera civile si dëshmi për inkriminimin e NATO-s.
Dëshmitari Taniq thotë se për varrezat masive në Serbi ka ditur në verë të vitit 1999, kur po përgatiste librin e vet; se ka biseduar me ministrin e atëhershëm të Punëve të Brendshme, Dushan Muhajloviq, dhe me zëvendësin e shefit të SDB-së, Zoran Mijatoviq. Siç dihet, Mihailloviq është emëruar në pozitën e ministrit të Brendshëm në janar 2001 e Mijatoviqi, pasi është shkarkuar më 1998, është kthye pak më vonë në pozitën e tij në SDB.
Për zbulimin e varrezave masive ai thotë se ka hetime zyrtare të MUP-it edhe dëshmi për lokacione, por për shkaqe të ndryshme ato janë ndërprerë. Tregon se si është gjetur kamioni frigorifer me kufoma në Danub. Kamionët e tillë Mihail Kerteshi ia ka huazuar MUP-it – për transportimin e kufomave të njerëzve që janë vrarë mu në prag të fillimit të bombardimeve të NATO-s
Taniq thotë se Mijatoviqi i ka treguar se ka pasur lidhje të drejtpërdrejt mes Milloshevqiit dhe urdhrit për zhdukjen e kufomave dhe se ato janë sjellë para intervenimit të NATO-s dhe se e kanë burimin nga njësitë e Sreten Llukiqit e jo të SDB-së, dhe mu për këtë po fshihen rezultatet e hetimeve,
Llukiqi gjatë kohës së Bombardimeve ishte shef i Policisë për Kosovë, ndërsa më vonë zëvendësministër i Punëve të Brendshme të Serbisë.