Telegrafi

Dëshmitari rrëfen ngjarjen para se Gani Geci ta vriste Ruzhdi Shaqirin

Dëshmitari Afrim Rama rrëfeu në seancë gjyqësore se çka folën Gani Geci dhe i Ruzhdi Shaqiri para vrasjes së vitit 2014 në Skënderaj. Kurse prokuroria e EULEX-it nuk e sheh problem qëndrimin e Gani Gecit në arrest shtëpiak.

Prokurorja Lili Opera Stelute e cila së fundmi është duke u marrë me trajtimin e rastit Geci ka deklaruar sot në gjykatore se masa e arrestit shtëpiak është masa e duhur për të akuzuarin për një vrasje të kryer në verë të vitit 2014 në qendër të Skënderajt.

“Sipas mendimit tonë, pasi që nuk ka ndryshim të rrethane në bazë të cilave është shqiptuar masa e arrestit shtëpiak, pra nuk ka ndonjë rrethanë të ndryshuar dhe për këtë arsye mendoi që kjo masë të vazhdohet”, ka thënë prokurorja Stelute, raporton KALLXO.com.

Gani Geci ishte liruar nga paraburgimi në nëntor të vitit 2014 pas kërkesës së prokurores Vahide Badivuku. Kjo e fundit kishte hartuar edhe aktakuzën ndaj Gecit e cila u ndryshua nga prokurorja e EULEX-it.

Në zhvillime të tjera në rastin Geci gjatë seancës së sotme për llogari të këtij procesi, dëshminë e tij e ka dhënë dëshmitari Afrim Rama i cili në ditën e vrasjes kishte qenë i ulur në tavolinë të vrarin Ruzhdi Shaqiri.

“E kam dëgjuar Ruzhdiun duke i thënë dikujt ‘Selam Alejkum’ dhe jam kthyer dhe e kam parë se po i thotë Gani Gecit i cili kishte qenë duke dalë nga lokali”, ka thënë Rama. Ai ka rrëfyer se pas kësaj përshëndetje kishte dëgjuar të shtënat dhe e kishte parë Gecin duke dalë nga lokali.

Dëshmia e Ramës ka ngjallur pyetjen e Gecit i cili e ka pyetur dëshmitarin nëse e kishte dëgjuar të ndjerin duke i thënë “shko hup, shko në k…” dhe fjalë të tjera.

“Unë e kam dëgjuar që e ka ngritur dorën dhe ka thënë “hajt ik” dhe disa fjalë të tjera që unë s’po mund t’i përmendi”, ka përfunduar Rama.

Përfundimi i dëshmisë së Ramës ka shënuar edhe fundin e seancës së sotme gjyqësore e cila është paraparë të mbahet me 11 maj të këtij viti.