Site icon Telegrafi

Dëshmitari Qeriqi thotë se me Thaçin është takuar tri herë gjatë luftës, por nuk e dinte pozitën e tij

Dëshmitari Ramiz Qeriqi është duke u marrë në pyetje nga mbrojtja e Hashim Thaçit, përmes avokatit Luka Mishetiq. Ai në procesion gjyqësor në Gjykatën Speciale në Hagë tha se gjatë kohës së luftës, është takuar me Thaçin vetëm tri herë.

Një prej herëve që dëshmitari pretendon se është takuar me Thaçin, sipas tij ka ndodhur në selinë e UÇK-së në Krumë. Ai thotë se Thaçi nuk ishte paraqitur me ndonjë pozitë atë kohë.

“Jo me njëfarë pozite. S’kam ditë që ka pozite. Isha duke u përgatitë për me hy brenda me Azem Sylen dhe aty jemi taku bashkë, e kuptuam që ishte Hashim Thaçi. S’di si ta shpjegojë, jo njëfarë i veçantë, nuk ka qenë. I thjeshtë sikur na ushtarët e tjerë”, tha ai.

Dëshmitari thotë se një herë tjetër ishte takuar me Thaçin në Krojmir pa praninë e Shukri Bujës dhe Fatmir Limës. Ai pohoi se në atë kohë ka besuar që personi kryesor i UÇK-së ka qenë Azem Syla.

“Ashtu u ndegju”, u përgjigj dëshmitari.

Ramiz Qeriqi tha se hera tjetër që nuk dinë nëse kishte ndodhur para ose pas takimit në Krojmir me Thaçin ka ndodhur në kur kanë dhënë intervistë për gazetarët e “New York Times”.

“Kemi dhënë intervistë bashkë në odën time, aty ku e kom pas komandën e batalionit”, tha ai.

Dëshmitari i qëndroi mbrapa se nuk e dinte pozitën e Thaçit në atë kohë por që e dinte se ishte me i lartë në pozitë se vetë ai.

“Te them sinqertën, nuk e kam ditë pozitën e Hashimit në atë kohë. Po e kam ditë që është më i madh se unë”, tha dëshmitari.

I pyetur nëse e ka parë Thaçin në Divjak, dëshmitari tha se nuk është duke iu kujtuar një gjë e tillë.

“S’me kujtohet. Mund ndodhë ta kem parë, por nuk me kujtohet. Unë nuk kam qenë atëherë në Divjak shpesh. Kam qenë veç për leje, kur e kam marrë lejen me shku”, tha ndër tjerash dëshmitari Ramiz Qeriqi.

Qeriqi tha se gjatë kohës së luftës, Shukri Buja iu kishte thënë ushtarëve të tërhiqeshin nga Blinaja dhe vendet e tjera gjoja se kishte urdhëruar Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Nga Blinaja nga komplet. Ka dhanë urdhër me u terhek luftëtarët e batalionit. Domethënë me u terhek nga zonat. E kam taku dhe e kam pyet kush e bëri këtë, me thotë që zbatova urdhrin e Shtabit të Përgjithshëm. Kështu ka thënë atëherë në atë kohë para ushtarëve. Edhe për këtë nuk e besoj që ka thënë Shtabi i Përgjithshëm e që e ka dhanë atë urdhër”, tha dëshmitari, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ai tha se pas takimit që kishin pasur me disa persona nga Shtabi i Përgjithshëm e kanë kuptuar se këtë urdhër, Shukri Buja e kishte bërë kokë në vete.

“Pas një takimi kur kanë ardh tek na, kanë thanë që se kena ba. Ata mu nuk me kanë dhënë përgjegjësi por e kemi kuptu që e ka ba kokë në vete Shukri Buja”, tha ai.

Sipas tij, Shukri Buja iu kishte thënë ushtarëve që të tërhiqen nga fronti pasi që më nuk do të kishte UÇK.

“Ju ka thanë ushtarëve në front tehiquni, tërhiquni e mbanja kah doni se s’ka ma UÇK. Pastaj, ne jemi bërë bashkë ushtarët edhe kemi vendos mos me ik, po kemi ngelë. Ai është moment, kemi ngelë në front. Kur ka ardh ky e kam pyet se kush e bëri dhe thotë se e zbatova urdhrin e Shtabit të Përgjithshëm dhe ka ec. Ne, kemi ngelë në rrugë… s’kena pas kah me shku. S’ka pas ma urdhra aty. U kanë luftë dhe nuk mundesh me kuptu qysh ka qenë në gjendje lufte”, tha dëshmitari.

Pastaj, ai tha se kanë mbetur pa komandë derisa shokët e tij i kanë udhëzuar që ta vazhdojnë luftën.

“Kemi mbetë aty dhe masanej kanë ardhur për një kohë shumë të shkurtë, shumë të shpejtë ata shokët që i kam përmend, e kanë mbajtë një takim, kanë thanë vazhdojnë luftën, është në rregull, është kështu. S’kisha pas qare me e zbatu urdhrin, po aty ka qenë luftë dhe kemi ngelë të shpërndarë, kemi ngelë keq. Na kemi ngelë në rrugë, kemi mbet pa komandë. S’kemi pas ku me shku. Kemi ngelë për një kohë të caktume, shumë të shpejtë derisa jemi bërë bashkë prapë. Kemi ngelë nga ai moment thuaja një javë ditë pa komandë. Kemi ngelë në rrugë sikur të themi si zojëve kur nuk e kanë pulën, te them popullorçe”, tha dëshmitari.

Ai shtoi se brenda dy javësh janë mobilizuar serish dhe janë bashkuar ushtarët për të vazhduar luftën.

‘Kemi ngelë vetëm. Shukria dikun tjetër, Fatmiri dikun, unë diku ngela me ushtarë. Brenda një jave, dy jemi bashku prap”, shtoi tutje ai.

Qeriqi tha se gjatë kohës së luftës kur ka shërbyer në Krojmir, i ka raportuar Fatmir Limajt dhe asnjëherë nuk i ka raportuar Rexhep Selimit.

Ndërsa, rreth asaj se kujt i ka raportuar Fatmir Limaj, dëshmitari tha se nuk ka njohuri.

“Unë nga ajo ditë që kam shkuar në Krojmir që kam shku me Fatmir Limajn, unë i kam raportuar Fatimir Limaj… Detyrat i kam marrë nga Fatmir Limaj. Unë i kam raportuar Fatmir Limaj, kujt i ka raportuar ai, unë nuk e di”, tha dëshmitari.

Dëshmitari Qeriqi pohoi se nuk e ka ditur asnjëherë se kush ishte anëtar i Shtabit të Përgjithshëm, ndonëse ishte takuar me Rexhep Selimin në Likoc.

“Nga kjo kohë unë kam pas punë me Fatmir Limajn, me Brigadën. Kam qenë i organizuar në batalion dhe nuk kam pasur njohuri për Shtab të Përgjithshëm”, tha dëshmitari Qeriqi.

Ndërsa, në kohë të luftës, dëshmitari tha se ka menduar që përgjegjës për UÇK-në ka qenë në atë kohë Rexhep Selimi pasi sipas tij i kishte kërkuar Azem Syla që të shkojë me një letër në Likoc për t’ia dhënë Selimit.

Dëshmitari tha se nuk ka përgjigje pasi nuk e mban mend se a ka dëgjuar për Rexhep Selimin gjatë kohës para se t’iu bashkohet luftës në Kosovë.

“Nuk kam çfarë të them. Nuk kam përgjigje, nuk di se çfarë të them. Nuk mbaj mend që kam dëgjuar diçka për ata. Janë edhe nëpër gazeta dhe mund t’i lexoni nëse ka diçka”, tha ai.

Ai sërish theksoi se gjatë funksionit të tij, i ka raportu vetëm Fatmir Limajt dhe jo Selimit.

“Unë asnjëherë nuk i kam raportu, jemi marrë vesh me Fatmir Limajn që unë i raportoj Fatmir Limajt dhe Fatmir Limaj Rexhep Selimit. A i ka raportu a s’i ka raportu nuk e di… qysh kam thënë më herët qashty qëndron…Fatmiri ka pas një pozitë më të madhe se unë. A i ka raportu a s’i ka raportu nuk muj me ditë dhe nuk më intereson, unë i kam raportu atij, e Rexhës kurrë”, tha ai.

Ndërsa, sa i takon takimit, dëshmitari tha se Azem Syla ia kishte kërkuar që t’ia japë një letër Rexhep Selimit më pas i cili e udhëzoi që të shkonte në Krojmir.

Dëshmitari e pohoi se Selimi nuk e urdhëroi, por e udhëzonte që të zbatonte atë që kishte kërkuar Azem Syla. Si rrjedhojë, dëshmitari tha se ka menduar që Selimi ishte më ‘i madhi’ në Likoc.

“Syla më ka thanë me u drejtu Rexhep Selimit me ia dhanë këtë letër dhe u kuptu që ai është më i madh aty”, tha ai, duke shtuar që nuk ishte takuar më asnjëherë me Selimin.

Exit mobile version