Site icon Telegrafi

Dëshmitari: Për 10 mijë euro duhej t’i ktheja 40 mijë

Naim Peqani e Arben Xhibegjiu dëshmuan në gjykimin e Arsim Limanit, i cili akuzohet për fajde dhe organizim të skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm.

Gjatë dëshmisë së tij, dëshmitari Naim Peqani i tha trupit gjykues se ai nuk ndjehet i dëmtuar dhe nuk dëshiron asnjë kompensim.

Prokurori Arian Gashi e pyeti dëshmitarin se sipas kontratës që e kanë nënshkruar me Arsimin, sa para duhej i akuzuari t’ua jepte dhe sa duhej t’ua kthenin.

Dëshmitari tha se shumën prej 25 mijë euro vëllai i tij, Bekim Peqani, ia ka pasur borxh Arsim Limanit dhe 30 mijë euro i është shitur shtëpia, që janë gjithsej 55 mijë euro.

“Në këtë shumë prej 55 mijë euro kur është nënshkruar kontrata dhe është bërë marrëveshja, Arsimi ka thënë që nëse në periudhën njëvjeçare Bekimi i bën paratë dhe ia kthen 55 mijë euro atëherë ai shtëpinë nuk do t’ua marrë, përveç parave të tij dhe materialit që ai e ka investuar në shtëpi t‘ia paguajmë”, deklaroi dëshmitari t’i ketë thënë Arsim Limani.

Dëshmitari tha se në kontratën e shitblerjes i vetmi përfitues ka qenë Bekimi.

“Arsimi 30 mijë euro ia ka lënë nënës në tavolinë dhe pastaj pas tri orësh kanë ardhur borxhlinjtë e Bekimit dhe i kanë marrë ato para në shtëpi”, tregoi Naimi.

Ai po ashtu deklaroi se në atë shtëpi prapë jeton Bekimi, edhe pse të njëjtën ia kishte shitur më herët Arsimit.

Ndërsa për Arsimin tha se e njeh si një njeri shumë real dhe korrekt, një njeri që u kishte ndihmuar shpesh.

Po ashtu, dëshmitari i kërkoi trupit gjykues që ta lejonin që para tyre ta lëshonte një audioincizim në të cilin do të dëgjohej biseda në mes tij, Bekimit dhe Arsimit në lidhje me shitblerjen dhe kontratën.

Naimi pretendon se Bekimi kishte ikur nga shtëpia duke thënë se po ikte nga borxhlinjtë, por në të vërtetë ai ka pasur qëllim që të përfitojë para nga familja.

“Unë një herë ia pata paguar borxhin prej 200 mijë eurosh, e Bekimi ka menduar që unë prapë do t’ia paguaj edhe këtë borxh”, tha Naimi lidhur me vëllain e tij.

Më tej, Naimi tha se ai është i pasigurt të dalë nga shtëpia prej Bekimit dhe grupit të tij dhe shtoi se vëllai i tij, pra Bekim Peqani, tash punon si mjek shërues dhe u merr para njerëzve, nga 2 deri në 5 mijë euro duke i shfrytëzuar njerëzit me nevoja të veçanta.

“Shkaku i Bekimit edhe firma më ka falimentuar. As nuk po punoj as asgjë. Edhe fëmijëve ua kam humbur shkollën për arsye se jemi të kërcënuar për shkak të borxhit të Bekimit”, vazhdoi deklaratën dëshmitari.

Dëshmitari Peqani i tha trupit gjykues se posedon edhe dëshmi të argumentuara me video-incizime ku shihen borxhlinjtë e Bekimit kur i bastisin shtëpinë dhe e kërcënojnë me “Kallashnikov”.

E në fund të deklaratës së tij, Naim Peqani iu lut trupit gjykues që ata të mos i besonin as fjalëve të tij e as të askujt tjetër por vetëm t’i marrin incizimet dhe t’i dëgjojnë.

Dëshminë e tij në këtë gjykim e dha edhe dëshmitari Arben Xhibegjiu, i cili po ashtu deklaroi se nuk dëshiron të bëjë kërkesë për kurrfarë kompensimi nga ana e Arsimit pasi që nuk e ndjen veten të dëmtuar.

Por, nuk kaloi shumë kohë dhe në vazhdim të deklaratës së tij ai ndërroi mëndje duke thënë se e ndjen veten të dëmtuar.

Arben Xhibegjiu tha se nga Arsim Limani kishte marrë borxh shumën prej 10 mijë euro dhe se me të kishte nënshkruar një marrëveshje që në vitin 2020, Arsimit t’ia kthente 40 mijë euro.

Dëshmitari Xhibegjiu para trupit gjykues njëherë tha: “Kam pasur të bëjë ndërrim, t’ia jap banesën e madhe në vlerë 40 mijë euro, kur Arsimi të mi japë mua 30 mijë euro”.

Por, pas pak pasi që prokurori Arian Gashi e ballafaqoi me deklaratën e tij të mëhershme të dhënë në Polici, të cilën e kishte dhënë ndryshe, atëherë dëshmitari ndërroi deklaratë me arsyetimin se në fillim të marrjes në pyetje kishte qenë i stresuar por tani ndjehet më mirë dhe e di se çfarë po deklaronte.

“Po, marrëveshja ka qenë që borxhin nëse nuk ia kthej deri më 2020, për 10 mijë euro kam pasur me ia kthye 40 mijë euro”, tha dëshmitari Arben Xhibegjiu.

Ai po ashtu shtoi se një shumë prej 250 euro ka pasur t’ia paguajë si kamatë Arsimit për çdo muaj deri në vitin 2020, dhe se nëse ndonjëherë ia kishte vonuar Arsimit shumën prej 250 euro në muaj, atëherë është dashur që për çdo ditë t’ia paguajë nga 50 euro deri sa ka arritur shuma deri në 250 euro.

“Nëse deri në 2020 nuk ia kthej paratë Arsimit atëherë kam për t’ia dhënë banesën e madhe që gjendet në Fushë-Kosovë 75 metra katrorë”, deklaroi dëshmitari.

Ai tha se atë kontratë e kishte nënshkruar nën presion dhe se në gjendje normale kurrë nuk do ta kishte nënshkruar dhe se ai për të paguar këtë borxh ka marrë edhe kredi.

Në lidhje me propozimin e dëshmitarit Naim Peqani për provat e paraqitura si audio-incizime, trupi gjykues tha se do të vendos jashtë procedurës gjyqësore, pasi që të konstatojë vërtetësinë e provave.

Arsim Limani po akuzohet se që nga viti 2009 në vazhdimësi me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete ose personin tjetër ka organizuar dhe marrë pjesë apo ndihmuar në organizimin e bixhozit, lojërave të llojit të kazinove apo lojërave të fatit për të cilat nuk i është dhënë licenca.

I akuzuari në lokalin e tij në Fushë-Kosovë ka vendosur pa pasur licencë tri aparate, ndërsa dy të tjera i ka vendosur në shtëpinë e tij po ashtu në Fushë-Kosovë.

Sipas aktakuzës, këto aparate kanë qenë shkak që shumë persona janë detyruar që nga i akuzuari të marrin vazhdimisht para me fajde me qëllim për të luajtur lojëra të fatit, e ku edhe kanë humbur shuma të caktuara të parave, ndërsa i pandehuri ka fituar shuma të mëdha të parave në mënyrë të kundërligjshme.

Në shtator të vitit të kaluar, gjatë bastisjes në lokalin e tij nga Policia atij i janë gjetur 1,002 euro të cilat i janë konfiskuar sikurse edhe aparatet e palicencuara.

Me këtë ka kryer veprën penale organizim i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm, thuhet në aktakuzë.

Limani gjithashtu akuzohet se që nga fillimi i vitit 2015 e deri në shtator të vitit të kaluar ka shfrytëzuar gjendjen e rëndë të personave të tjerë në mënyrë që të dëmtuarve Bekim Peqani, Ergin Alija, Mendim Puqolli, Naim Peqani, Lulzim Peqani, Arben Emini, Arben Xhibegjiu dhe Agron Hajdini u ka dhënë shuma të caktuara të të hollave me fajde duke përfituar nga ta shuma të mëdha dhe joproporcionale të të hollave apo patundshmëri.

Në aktakuzë thuhet po ashtu se me rastin e bastisjes së shtëpisë së të akuzuarit Limani, Policia ka gjetur 2,500 euro, para këto të cilat është vërtetuar se janë përfituar në mënyrë të paligjshme.

“Krahas kësaj Policia ka konfiskuar edhe dy vetura dhe po ashtu ka gjetur letërnjoftime dhe pasaporta të personave të ndryshëm të cilëve mendohet se dokumentet u janë ndalur nga i akuzuari për shkak të borxheve-fajdeve që kanë pasur ndaj tij, e që ai ua ka ndalur me qëllim të mbajtjes peng deri sa të dëmtuarit të paguajnë fajdenë. Më këtë Arsim Limani akuzohet të këtë kryer edhe veprën penale fajde”, thuhet gjithashtu në aktakuzë. /kallxo.com/

Exit mobile version