Telegrafi

Dëshmitari ndërkombëtar përball avokatit Emmerson e pranon se gaboi në raportin e tij për “vrasjen e civilëve nga UÇK-ja”

Në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, dëshmitari Frederic Abrahams nga Human Rights Watch është pyetur rreth konstatimeve të tij mbi vrasjen e civilëve nga UÇK-ja në shtator të vitit 1998.

Avokati i Thaçit, Gregory Kehoe, dhe avokati i Veselit, Ben Emmerson, kanë kundërshtuar konstatimet e Abrahams, duke i kërkuar të pranojë se ka gabuar në raportin e tij.

Ata theksuan se këto konstatime janë bërë mbi baza të burimeve serbe, të cilat nuk janë hetuar dhe konfirmuar nga organizata e Abrahams.

Avokati Emmerson e ka pyetur Abrahams se a i ka marrë këto pretendime për vrasjen e civilëve nga UÇK-ja nga pala serbe.

Lexo po ashtu ​Fillon të dëgjohet dëshmitari ndërkombëtar kundër Thaçit e të tjerëve, mbrojtja: Dëshmia e tij nuk është e bazuar

“Po”, ka qenë përgjigja e tij.

Avokati Emmerson pas përgjigjes së tij, i ka thënë Abrahamas se “ajo çfarë keni bërë ju nuk është asgjë tjetër përveçse ricikluat propagandën serbe, apo jo?”.

“Duhet të ishte shkruar ndryshe”, ka thënë Abrahamas.

Avokati Emmerson ka kërkuar që dëshmitari të pranojë se ka gabuar në raportin e tij duke i vënë në pikëpyetje burimet serbe që ai i ka përdorur.

Emmerson: “Kur po flisni për vrasjen e shtatorit të 1998-ës, a e kuptuat se në atë aktakuzë nuk është vrarë askush?”

Abrahams: “Është formuluar keq”.

Emmerson ka theksuar se i vetmi vlerësim i saktë “është se janë gjetur trupa të pajetë në Gllogjan në fund të 1998-së”.

Abrahams është përgjigjur duke thënë se formulimi i tij mund të jetë i gabuar, duke shtuar se “duhej të kisha shkruar ‘vrasjet e pretenduara’”.

Avokati Emmerson i ka thënë se nuk është vetëm e formuluar keq, por tërësisht e gabuar, duke shtuar se “përfshirë 9 viktima të vrasjes së serbëve janë përjashtuar nga aktakuza”.

Gjithashtu, Emmerson ka pyetur Abrahamas: “Ju nuk keni bërë hetime sa i përket pretendimeve të autoriteteve serbe?”.

Abrahams: “S’kemi bërë hetime në tërësi… Ne asnjëherë nuk e kemi prezantuar rastin e Gllogjanit në Liqenin e Radoniqit.”

Avokati Emmerson tutje ka pyetur Abrahams nëse ata kanë shkuar në vendngjarjen e pretenduar të vrasjes së civilëve nga UÇK-ja në shtator të vitit 1998.

Abrahams është përgjigjur duke treguar se ata janë përpjekur të shkojnë në Liqenin e Radoniqit, por janë penguar.