Në vazhdim të seancës gjyqësore në gjykimin ndaj të akuzuarve për pjesëmarrje në “Syrin e Popullit” në cilësi të dëshmitarit u dëgjua Mehmet Loci, ish-pjesëtar i Policisë në kohën kur Kosova ishte krahinë e Jugosllavisë.
Ai gjatë dëshmisë së tij kryesisht u pyet në lidhje me një takim të tijin me tani të akuzuarin Murat Jashari.
Për Murat Jasharin dëshmitari tha se e njeh që nga tetori i vitit 2016, pasi që ky i fundit i kishte drejtuar atij një kërkesë miqësie përmes rrjeteve sociale, përkatësisht përmes aplikacionit “Facebook”.
Më pas tha se i akuzuari Murat Jashari kishte qenë i interesuar që nga dëshmitari të merrte informacione për njerëzit me të cilët ai kishte bashkëpunuar gjatë kohës sa kishte qenë pjesëtar i Policisë.
“Komunikimet e tij me iniciativën e sot të pandehurit Murat ishin të natyrës së thithjes së informacioneve mbi njohuritë e mija lidhur me ushtrimin e veprimtarisë sime si ish-pjesëtar i sigurimit të shërbimit policor i Krahinës së Kosovës… Ai kërkoi që unë t’i jap të dhënat në lidhje me njohurit e mia me njerëzit me të cilët kam bashkëpunuar”, deklaroi dëshmitari.
Pas bisedës në “Facebook”, dëshmitari tha se me tashmë të akuzuarin janë takuar edhe personalisht në një hotel në Pejë.
“Me Murat Jasharin jam takuar edhe fizikisht me datë 4 janar vitit 2017 në hotel ‘Dukagjini’ në Pejë, përmes marrëveshjes paraprake përmes telefonit se do e pres pa e njohur. Jemi takuar, i pandehuri me një person për mua të panjohur sa më kujtohet tani Abdullah emrin, ndërsa mbiemrin e kam të ikur”, tha dëshmitari.
I pyetur nga prokurori i rastit Sylë Hoxha për arsyen e takimit dhe se çfarë i kishte kërkuar Murat Jashari, dëshmitari tha se Jashari i kishte kërkuar që ai t’i jepte emrat e personave që kishin punuar për UDB-në.
“Pasi që kërkesat e tij ishin të natyrës konfidenciale, kërkoi të flas për persona të caktuar të cilët janë në bashkëpunim me Serbinë, persona të cilët sot bartin poste politike, persona që bashkëpunojnë me organet e shërbimeve informative të Serbisë e që tani zënë poste të mëdha në Kosovë”, tha dëshmitari.
Më konkretisht tha se ai i kishte kërkuar që t’i jepte emrat e personave që i kishin rrahur shqiptarët.
“Kërkonte që unë t’i jap emrat e atyre UDB-së që kanë rrahur shqiptarë”, deklaroi dëshmitari Loci.
“I thash sa t’i jap ty më mirë i publikoj vetë por as mua as ty këto nuk na hynë në punë se nuk janë aktuale”, tha dëshmitari t’i ishte përgjigjur Murat Jasharit, e për këtë të fundit tha se i kishte thënë se po t’ua jepte këta emra të cilët i kishin kërkuar ai do të shpallej patriot.
Për të akuzuarin Murat Jashari tha se kishte vërejtur se gjatë bisedës së tyre bënte pyetje që nuk kishin ndërlidhje me njëra-tjetrën dhe se fjalët dhe fjalitë e ndërlidhura ishin abstrakte.
“Thotë të kam dhënë një detyrë. E cila është ajo detyrë? Thotë ta kam çu një peshqesh, thotë e ke çipin – qitmi në letër krejt UDB-ovcat. Përgjigja ime ishte të uroj mbi të gjitha shëndet e mbi të gjitha higjienë të pastër mentale”, tha dëshmitari.
Në lidhje me emrat të cilët tha se i kishte kërkuar i akuzuari, dëshmitari tha se nuk mund t’i përmendte në prani të publikut dhe mediave pasi që ata persona tanimë mbajnë poste të larta politike.
Gjatë dëshmisë së dëshmitarit disa herë pati reagime nga i akuzuari Murat Jashari, i cili në sallë të Gjykatës thërriste “Kosova Republikë”.
Po ashtu, gjatë marrjes në pyetje të këtij dëshmitari, pati reagime edhe nga publiku i cili ndodhej në sallë të Gjykatës, të cilët pas pyetjes që i akuzuari Sadri Ramabaja i bëri dëshmitarit duartrokitën.
Ramabaja dëshmitarit i tha se ai duhej t’u kërkonte falje shumë personave pasi që sipas tij, ai ka qenë personi që ka marrë në pyetje dhe ka terrorizuar Qerim Kelmendin, Mamujë Loshin, Xhevat Zekën dhe dhjetëra të tjerë të cilët i ka sjellë buzë vdekjes dhe që ende nuk u ka kërkuar falje publikisht.
Kurse mbrojtësja e të akuzuarit Murat Jasharit, Fehmije Bytyqi e pyeti dëshmitarin në lidhje me personin tjetër me të cilin kishte qenë Murat Jashari gjatë takimit të tyre në Pejë.
Për personin e quajtur Abdullah, dëshmitari tha se nuk ka më tepër informacione por për të njëjtin tha se nuk kishte treguar aspak interes gjatë kohës sa ai kishte biseduar me Jasharin.
Në fund dëshmitari Loci tha se është i dëmtuar pasi që edhe ai kishte qenë në listën e personave që kishin qenë të paraparë që të vriteshin nga organizata “Syri i Popullit”. Për shkak të kësaj ai kërkoi dëmshpërblim në vlerë prej 220 mijë eurove.
“Si plumbi që ka shku në drejtim të Azem Vllasit i njëjti plumb është drejtuar tek unë dhe të tjerët. Mbi këtë bazë unë kërkoj dëmshpërblim për fyerje të moralitetit dhe përkufizimit tim si tradhtar nga organizata që tashmë është publike “Syri i Popullit”, që të kompensohem në vlerë prej 220 mijë euro”, tha dëshmitari.
Prokuroria Speciale ngriti aktakuzë ndaj 10 personave në lidhje me këtë rast më 28 shkurt.
Pjesë e aktakuzës janë vepra penale duke filluar hakmarrje, ndihma, dhunimi, përgatitja e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës, mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve dhe hakmarrje.
Sipas Prokurorisë, të akuzuarit planifikonin shkatërrimin e strukturave themelore politike, kushtetuese, ekonomike apo shoqërore të Republikës së Kosovës me sulme dhe me vrasje ndaj personaliteteve më të larta shtetërore duke filluar nga ish-funksionarët e lartë të Kosovës prej vitit 1980 deri në 1991, duke i konsideruar si tradhtarë të vendit, e po ashtu funksionarët nga viti 1999 deri në vitin 2016./Kallxo.com/