Telegrafi

Dëshmitari i fajdeve: S’dua kompensim, se po lindin probleme (Video)

Në gjykimin e Arsim Limanit, i cili akuzohet për fajde, vazhduan dëshminë Bekim Peqani, Ergin Alija e Mendim Puqolli, të cilët Prokuroria në aktakuzë i konsideron të dëmtuar.

Por, në seancë, dëshmitarët thanë se nuk e ndjejnë veten të dëmtuar dhe se nuk dëshirojnë të parashtrojnë kërkesë pasurore-juridike, me arsyetimin se po lindin probleme.

“Ki të drejtë me u deklaru nëse don kompensim prej Arsimit. A don me parashtru kërkesë që ti me u kompensu? A dëshiron me parashtru kërkesë pasurore-juridike? A ndjehesh i dëmtuar?”, pyeti kryetarja e trupit gjykues, Suzana Çerkini.

“Unë ndihna por unë du çdo send me u marr vesh, me u barazu me Arsimin. Nuk du se tani po lindin probleme. Po du me u marrë vesh vet me Arsimin, sikur gjithë”, tha dëshmitari Bekim Peqani.

Pas kësaj deklarate, dëshmitarin Bekim Peqani prokurorja Javorka Perlinçeviq e pyeti se a ndihej i kërcënuar nga i akuzuari apo cila është arsyeja pse nuk do të kërkojë kompensim.

“Bekim na thoni konkretisht çfarë probleme? A po tuteni që dikush do t’ju kërcënojë apo çfarë probleme?”, pyeti prokurorja.

Pasi dëshmitari tha se “normal, si në Prizren që e kanë plagu njerin”, prokurorja i tha që Gjykatës nuk i interesojnë dëshmitarët dhe rastet e tjera, duke e pyetur sërish:  a po frikësoheni se Arsimi do t’ju bëjë problem?”.

“Gjithkah më shkon mendja mu”, u përgjigj Bekim Peqani.

Edhe dëshmitarët Ergin Alija e Mendim Puqolli dhanë dëshminë e tyre rreth këtij rasti.

Ata thanë se për shkak të disa problemeve që kishin pasur, disa herë ishin detyruar që të merrnin para borxh nga Arsimi, por kur u pyetën nga kryetarja e trupit gjykues se a ndjeheshin të dëmtuar, dëshmitarët deklaruan se nuk duan të paraqesin kërkesë për kompensim pasuror-juridik pasi që sipas tyre ata nuk e ndjejnë vetën të dëmtuar nga Arsimi, përkundrazi ata deklaruan se kanë borxhe ndaj tij.

Edhe dëshmitarët e seancës së kaluar, vëllezërit Naim e Lulzim Peqani, thanë se nuk ndihen të dëmtuar. /KALLXO.com/