Site icon Telegrafi

Dëshmitari: E pash Vukotiqin kur e ekzekutoi një 14-vjeçar në Studime të Vushtrrisë

Në seancën e shqyrtimit gjyqësor në gjykimin e Zoran Vuketiqit, i cili akuzohet për krime lufte ndaj civilëve shqiptarë, dëshmuan dy dëshmitarë. Shaip Gerxhaliu tregoi se çka kishte ndodhur më 2 dhe 3 maj 1999, në kohën kur popullata civile e zonës së Vushtrrisë ishte dëbuar nga shtëpitë e tyre nga forcat serbe.

Më 2 maj pasdite, tha Gerxhaliu, kanë ardhur dy fshatarë dhe u kanë thënë se të nesërmen, më 3 maj, të jenë gati për t’u nisur për në Vushtrri.

“Pas kësaj kemi dëgjuar të shtëna”, tha dëshmitari. “Kur kemi shku në mes fshatit Studime e Epërme dhe Studime e Ulët, kolona e cila ka qenë duke lëvizur, e cila ishte e gjatë 6-7 kilometra, është bllokuar. Dhe, traktorët e parë janë ndalë para shtëpisë time në Studime të Ulët. Bajram Mullaku kishte shkuar në stacion policor për të biseduar dhe treguar se ne po dorëzohemi. Mirëpo, atij dikush i kishte thënë që është ora policore dhe se deri të nesërmen duhet të qëndronim aty”.

I pyetur nga prokurori se a erdhi dikush për të biseduar sa ishin aty të ndalur, Shaip Gerxhaliu deklaroi se me Rexhep Mullakun, Ekrem Mullakun, Naser Mullakun e Lutfi Mullakun kanë qëndruar në këmbë para traktorëve dhe se ishte terr dhe krejt çka kanë parë është përmes rrezes së hënës.

Sipas tij, ndërkohë kanë ardhur dy grupe të serbëve. Të parët kanë kërkuar t’u lëshohet rruga, ndërsa grupi i dytë, në mesin e të cilëve ishte i akuzuari Zoran Vukotiq, kanë filluar me keqtrajtimet.

Gërxhaliu tha se është rrahur nga i akuzuari.

‘Posa e pash e njoha dhe u largova nja tre metra nga traktori im. Ai më pa, kërkoi luftë dhe ma shajti nanën. Ndërsa, daja Rexhep po qëndronte para tij, ai pas i kërkoi t’i afrohem”, tha dëshmitari.

Në vijim të deklaratës, Gerxhaliu tregoi se si gjatë kohës kur Rexhep Mullaku ishte nën shënjestrën e Zoran Vukotiqit, një djali i ri kishte ikur nga disa policë të tjerë dhe më pas në prezencën e tij dhe gjithë të tjerëve ishte vrarë nga Vukotiqi.

“Ai e kapi për fyti djalin, duke i thënë: Edhe po ik a? E ka çu mbrapa traktorit duke e tërhequr prej rrobave. Djali disa herë është dëgjuar duke i thënë: Pash Zotin që nuk më vranë, se ende 14 vjet nuk i kam. Pas kësaj djali ka vazhdu duke vrapu në ara (lëndinë). Ky me rafal ka gjuajt. Djali i çoi duart lartë dhe ra me fytyrë për toke. Ky shkoi u afrua afër e i dha edhe një plumb nga afër. Jam i sigurt që e gjuajti në kokë”, tha dëshmitari Gerxhaliu.

Në fund të dëshmisë, i akuzuari i tha dëshmitarit se “e paske mësuar gabimisht tekstin”. Ndërsa, Gerxhaliu i tha që çdo gjë e provon puna, qoftë për të mirë qoftë për të keqe.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës e akuzon Zoran Vukotiqin për krime lufte kundër popullatës civile. Sipas aktakuzës, i akuzuari në mes datave 2 dhe 3 maj 1999, në kapacitetin e tij si zyrtar policor rezervist nga stacioni i policisë në Vushtrri, në bashkëkryerje me pjesëtarë të tjerë nga radhët e forcave serbe, mori pjesë në sulmin ndaj popullatës civile shqiptare, e cila po udhëtonte në kolonë nga fshati Studime e Epërme në Studime të Poshtme.

Gjatë kësaj kohe, sipas aktakuzës, popullata civile në mënyrë të qëllimshme i është nënshtruar vrasjeve brutale dhe të paligjshme, trajtimit johuman, vuajtjeve, dëbimit, si dhe aplikimit të masave të terrorit. Në mesin e këtyre civilëve të vrarë, plagosur dhe të trajtuar në mënyrë johumane për të cilët i akuzuari bart përgjegjësi direkte ose në bashkëpunim me të tjerë, ishin: Ekrem Mullaku, Xhavit Mullaku, Fatmir (Ahmet) Gerxhaliu, Eshref Rashica, Adnan Bunjaku, Ademi, një 14 vjeçar i paidentifikuar, Haki Ademi, Shaip Gerxhaliu dhe Musa Gerxhaliu.

Më pas, dëshmi ka dhënë edhe i dëmtuari Fatmir Parduzi që para trupit gjykues ka rrëfyer se çfarë kishte ndodhur me 3 maj 1999. Ai tregoi se si forcat serbe nën udhë heqjen e Zoran Vukotiqit i kishin ndarë të gjithë meshkujt nga mosha 14-65 vjeç dhe i kishin dërguar në burgun e Smrekonicës. Dëshmitari tha se kur i kishin dërguar atje kishte filluar keqtrajtimi.

“Kemi përjetuar gjëra shumë të këqija sa kemi qëndruar aty. Kur jemi ulë me hangër bukë, Zorani vinte dhe e godiste tavolinën me dorë dhe pa filluar të hanim thoshte: Çohuni!”, tha Parduzi.

Ai po ashtu tregoi për të rrahurat që i kishte përjetuar ai dhe gjithë të burgosurit e tjerë.

Kur u pyet se a i është ofruar ndihmë mjekësore ndonjërit, ai tregoi se asnjëherë.

Parduzi tregoi se i akuzuari Zora Vukotiq lëshonte muzikë folklorike serbe, bënte grill në kohën kur ishte roje e burgut, pastaj i detyronte me u rrahë të burgosurit mes vete.

Në pjesën e tretë të aktakuzës thuhet se i akuzuari mes datës 3 maj dhe fundit të qershorit 1999, i akuzuari, duke vepruar edhe si roje burgu, në bashkëkryerje me pjesëtarë të tjerë kishte keqtrajtuar civilë shqiptare në burgun e Smrekonicës. Në mesin e civilëve të cilët i ishin nënshtruar trajtimit çnjerëzor dhe vuajtjeve të pafundme përmes torturës, rrahjes, e keqtrajtimeve të tjera për të cilat i pandehuri bart përgjegjësi direkte ose në bashkëkryerje me të tjerët, ishin: Sabit Kadriu, Musa Mustafa, Musli Uka, Fatmir Parduzi, Bekim Musa, Shefket Binaku, Gani Hajredinaj, Azem Osmani, Safet Osmani, Izet Ferati, Driton Ferati, Sabit Gerxhaliu dhe Beqir Ferati.

Zoran Vukotiq ishte ekstraduar nga Mali i Zi në Kosovë në nëntor të vitit 2016. /kallxo.com/

Exit mobile version