Site icon Telegrafi

Dëshmitarët rrëfejnë për maltretimet e të burgosurve shqiptarë nga i akuzuari për krime lufte, Dragisha Millenkoviq

Në Gjykatën e Prishtinës, më 20.06.2024, është mbajtur seanca e radhës ndaj Dragisha Millenkoviq, i akuzuar për krime lufte në Kosovë.

Në këtë seancë janë dëgjuar dy të dëmtuar në cilësinë e dëshmitarëve, Ali Xhyliqi dhe Arsim Zyba, të cilët kanë rrëfyer për maltretimet që iu ishin bërë shqiptarëve në burgje nga i akuzuari Dragisha Millenkoviq, i cili asokohe kishte qenë gardian i burgut të Prishtinës dhe i burgut të Lipjanit.

I pari që nisi rrëfimin para trupit gjykues ishte dëshmitari, Ali Xhyliqi.

Ai tha se të akuzuarin e ka njohur prej janarit të vitit 1997 në kohën kur ka qenë i burgosur, sepse i akuzuari ka qenë gardian në burgun e Prishtinës.

Xhyliqi tha se ishte arrestuar me 31 janar të vitit 1997 si pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Në rrëfimin e tij, dëshmitari tha se në periudhën e parë të arrestimit, me muaj janë marrë në pyetje nga inspektorët e sigurimit shtetëror.

Tutje, dëshmitari tha për të akuzuarin se nuk e kishte maltretuar por kishte raste kur i akuzuari i kishte maltretuar të tjerët.

“Konkretisht i akuzuari mua nuk më ka maltreruar asnjëherë, por rastet ku ky ka maltretuar të tjerët ekzistojnë …Sa për përshkrim, burgu i Prishtinës është në formë gjysmërrethi dhe personat që gjenden në dhoma tjera nuk ke mundësi t’i shohësh e as t’i dish kush janë, por vetëm se dëgjoheshin britmat e njerëzve të burgosur që rriheshin nga gardianët”,- tha dëshmitari.

Ndërsa për të akuzuarin, dëshmitari Xhyliqi tha se shihej që kishte rrahur njerëz, sepse “ishte i lodhur dhe i djersitur”.

Dëshmitari tha se prej burgut te Prishtinës ishin transferuar për në burgun e Lipjanit. Ky transferim i të burgosurve, sipas tij, ka qenë politikë e burgut, pasi burgu i Prishtinës ka qenë burg hetues dhe qëndrimi i gjatë në të nuk ka qenë i lejuar.

Xhuliqi tha se gjatë periudhës sa kishte qëndruar në burg kanë pasur transferime nëpër burgje.

Pas tranferimit të burgut të Dubravës për në burgun e Lipjanit në maj të vitit 1999 dëshmitari deklaroi se të akuzuarin Dragisha Millenkoviq e kishte parë në burgun e Lipjanit në kordonin i cili ishte formuar nga gardianët.

Kordoni, sipas tij, ka qenë i gjatë mbi 100 metra dhe nga dy anët i përbërë nga gardian dhe policë të pajisur me mjete të ndryshme të dhunës.

Përpos dhunës fizike dëshmitari deklaroi se kishin pasur edhe dhunë psikike gjatë qëndrimit ne burg.

Tutje, në këtë seancë gjyqësore rrëfimin mbi maltretimet dhe tmerret qe kishin përjetuar në atë kohë i rrëfeu edhe i dëmtuari tjetër në cilësinë e dëshmitarit, Arsim Zyba.

Ai tha se Millenkoviqin e njeh nga marsi i vitit 1999 kur ishte transferuar nga burgu i Prizrenit për në burgun e Prishtinës.

“Dragishën e njoh se unë me 14 mars 1999 jam transferuar nga burgu i Prizrenit për në burgun e Prishtinës për arsye shëndetësore që me qenë me afër trajtimit në spital, mirëpo nuk ka qenë ashtu … Por, më kanë dërguar në burg, jo në spital” – tha dëshmitari Zyba.

Ai ka treguar se ishte pyetur nga një i burgosur se “a e din për raportin për çka përgjigjesh”, ndërsa ky ishte përgjigjur me- jo.

I njëjti i kishte thënë se “tash vjen Dragisha e ta mëson raportin”.

“Numërimet zakonisht janë bërë në mbrëmje. Në ora 7 ka ardh ky Dragisha, e ka qel kapakun e qelisë edhe më ka pyet: çka përgjigjesh në serbisht. Unë nuk e kam kuptu. Më ka marrë, më ka qit jashtë në korridor edhe më ka rrahur, dhe më ka thënë, kur të vijë nesër në mëngjes e mëson ti raportin. Unë nuk e kam kuptu, por ma kanë spjegu ata të burgut”,- tha Zyba.

Tutje, ai rrëfeu se trajtimi i tij sa kishte qëndruar në burg ka qenë i tmerrshëm, sepse ishte rrahur në shëtitore, korridor si dhe te berberi.

Ndërsa për të akuzuarin dëshmitari tha se në çdo kordon kur i kishin rrahur të burgosurit ai kishte qenë prezent.

Dëshmitari deklaroi se më herët ishte intervistuar nga UNMIK-u në vitin 2002 si dhe nga Policia e Kosovës dhe EULEX-i në vitin 2016, por që kishte të bëjë më një rast tjetër.

Ndërsa lidhur me këtë rast dëshmitari tha se ishte thirrur nga Policia e Kosovës për të dhënë deklaratë lidhur me këtë çështje pasi që dëshmitarët tjerë ia kishin përmendur emrin në deklarimet e tyre.

Pasi që dëshmitari kishte shkuar për të dhënë deklaratën e tij në Polici, e kishte parë fotografinë e të akuzuarit dhe e kishte njohur menjëherë se është ai.

Po ashtu, dy të dëmtuarit kanë parashtruar kërkesën pasurore-juridike.

Çfarë thotë dosja e prokurorisë?

Millenkoviq po akuzohet se në luftën e fundit, në vitin 1999, në cilësinë e personit zyrtar në Burgun e Prishtinës dhe Lipjanit ka kryer veprime të cilat cilësohen si krime lufte ndaj popullatës civile.

Ai ishte arrestuar nga Policia e Kosovës më 21.06.2023, e për arrestimin e tij ishte protestuar në Graçanicë. Millenkoviq ishte sjellë më 22.06.2023 para Gjykatës së Prishtinës dhe ndaj tij ishte caktuar masa e paraburgimit.

Millenkoviq akuzohet se pasi që janë transferuar të burgosurit nga Burgu i Dubravës në Burgun e Prishtinës dhe Lipjanit i ka detyruar të burgosurit të kalojnë përmes një kordoni dhe të njëjtit i kishte goditur me shkop, grushte dhe shqelma.

Sipas dosjes së Prokurorisë, të burgosurit në mënyrë sistematike ishin trajtuar në mënyrë çnjerëzore, duke u torturuar, maltretuar, kanosur me jetë e kështu duke iu shkaktuar lëndime të rënda trupore dhe pasoja në shëndet.

Përveç kësaj, mbi të burgosurit sipas dosjes së Prokurorisë ishte ushtruar edhe dhunë psikike.

Këto veprime, Millenkoviq akuzohet se i ka kryer në bashkëpunim me tre zyrtarë të tjerë ndër të cilët ish-drejtori i Burgut të qarkut të Prishtinës, Lubomir Cimburoviq, si dhe gardianët Predrag Bradiq dhe Milivoje Iliq.

Sipas prokurorit Atdhe Dema, këto veprime janë në kundërshtim me Konventën Ndërkombëtare të Gjenevës.

Trupi gjykues i cili po gjykon këtë çështje përbëhet nga Kujtim Krasniqi – kryetar, dhe anëtarët Mentor Bajraktari e Arben Hoti.

Për masakrat dhe krimet e tjera të luftës dhe krimet kundër njerëzimit të kryera në Kosovë nga forcat serbe e jugosllave gjatë luftës së viteve 1998/1999 ishin gjykuar, e disa edhe dënuar, ish-udhëheqësit më të lartë politikë dhe ushtarakë të Jugosllavisë së mbetur dhe të Serbisë.

Ish-presidenti i Jugosllavisë, Sllobodan Millosheviq, ishte akuzuar për krime lufte dhe për krime kundër njerëzimit, të kryera nga forcat serbe e jugosllave në Kosovë. Millosheviq ishte akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit të kryera edhe në luftërat në Bosnjë e Hercegovinë, si dhe në Kroaci.

Gjykimi i tij në Gjykatën ndërkombëtare penale për ish-Jugosllavinë (ICTY), me seli në Hagë, nuk kishte marrë epilog pasi Millosheviq kishte vdekur më 11.03.2006 në qeli teksa po mbahej në paraburgim.

Millan Millutinoviq, ish-kryetari i Serbisë, ishte liruar nga akuzat për krime lufte gjatë konfliktit në Kosovë.

Nikolla Shainoviq, zëvendëskryeministër i Republikës Federale të Jugosllavisë, ishte dënuar me 18 vjet burg për krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës.

Dragolub Ojdaniq, ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë jugosllave, ishte dënuar me 15 vjet burg për krime kundër njerëzimit.

Nebojsha Pavkoviq, ish-komandanti i Armatës së Tretë të Ushtrisë jugosllave, ishte dënuar me 22 vjet burg për krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës.

Vlladimir Llazareviq, ish-komandanti i Korpusit të Prishtinës të Ushtrisë jugosllave, ishte dënuar me 14 vjet burg për krime kundër njerëzimit.

Sreten Llukiq, ish-shefi i stafit të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë për Kosovë, ishte dënuar me 20 vjet burg për krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës, raporton Kallxo.

Exit mobile version