Qeveria e Republikës së Kosovës pak më parë ka mbajtur mbledhjen e 25-të, në të cilën njëherësh ka shqyrtuar dhe aprovuar masat e reja për kontrollin dhe parandalimin e COVID-19.
Kjo pasi ditëve të fundit në vend është rritur dukshëm numri i rasteve me coronavirus.
Me vendimin e ri, nga 20 gushti deri më 10 shtator hyrja në ambientet e klubeve të natës, diskotekave dhe ambienteve ku mbahen dasmat, fejesat, ahengjet familjare e të ngjashme, tubimet masive, të cilat kanë kapacitet mbi 100 persona, do të lejohet vetëm me certifikatën e vaksinimit për vaksinimin e plotë ose marrjen e një dozë të vaksinës kundër COVID-19.
Lidhur me këtë në një prononcim për Telegrafin, këngëtari e drejtori i departamentit të estradës në Odën e Hotelerisë dhe Turizmit, Afrim Muçiqi, tha se do t’i respektojnë të gjitha vendimet që merren nga Qeveria e Ministria e Shëndetësisë.
“Ne i kemi respektuar gjithmonë masat e Qeverisë cilat do qoftë, do t’i respektojmë edhe të tanishmet. Lutemi për shëndetin e njerëzve, jemi duke u ruajtuar për shëndetin e njerëzve dhe normalisht nuk do te lejojmë standarde të dyfishta sikur herën e kalume”, ka thënë Muçiçi për Telegrafin.
Tutje, ai shton se vendimet duhet të vlejnë për të gjithë dhe se nuk duhet të ketë standarde të dyfishta sikurse herën e kaluar.
“Vendimet duhet të jenë për të gjithë njësoj jo me standarde të dyfishta asesi”, vazhdon ai.
MSH sot (e enjte) njoftoi se në 24 orët e fundit kanë vdekur dy persona, gjersa 1,009 qytetarë kanë rezultuar pozitivë. /Telegrafi/