Ismet Kikaj e Bajram Dautaj ishin dy dëshmitarët e fundit të Prokurorisë Speciale në gjykimin për krime lufte ndaj të akuzuarit Ekrem Bajroviq.
Ata para gjykatës rrëfyen se si kishin qenë të detyruar nga komandanti i policisë “Stojkoviq” dhe polici siç shprehet Kikaj “njëfarë Dejani”, të kryenin mbledhjen dhe varrosjen e kufomave të të vrarëve në fshatin Staradran të komunës së Istogut, në maj të vitit 1999.
Kufomat kishin qenë të gjithë civilë, të gjinisë mashkullore, e me plagë nga plumbat. Dëshmitari Ismet Kikaj tha se në numër, kufomat kishin qenë 7 ose 8 kufoma.
Përshkrimi që dha dëshmitari Kikaj para gjykatës përmban detaje që nga marrja e tyre me traktorë, mbërritja tek kufomat, e dërgimi i tyre tek varrezat e fshatit Staradran.
“Na kanë çu në Staradran për me ba varrimin e kufomave, data 12,13 ose 14 maj, nuk më kujtohet saktësisht. Te kooperativa kanë qenë 12-13 veta që i kemi bartur kufomat. Prej kooperativës bujqësore deri në Staradran kemi shku me traktor të atyre personave që kanë ardhur nga Istogu. Nuk i kam njohur ata persona. Kemi shku’ te lugu’ që tash është përmendore, aty kanë qenë kufomat. Kemi fillu me i mbledh dhe me i vendosë në traktor. Kufomat kanë qenë mbi dhe të vrarë. Civilë kanë qenë të gjithë. Pasi i kemi marrë kufomat, i kemi dërguar te varrezat e fshatit Staradran”, tha dëshmitari para gjykatës.
Detaje vazhdoi të jepte edhe mbi “procedurën” e varrosjes duke thënë se njëherë ishin urdhëruar t’i hidhnin të gjithë kufomat në një ‘gropë masive” e pastaj në varre të ndara.
“Te varrezat e fshatit Staradran ka qenë edhe një ekskavator me të cilën ishte qelë një gropë masive, dhe na është dashtë në atë gropë masive me i gjujt kufomat. Një polic që ka qenë me neve, ai e ka dhënë urdhrin [me i gjujt]. Me veturë ka ardhë Stojkoviq dhe Zharpiq, dhe i ka thanë këtij policit, me i hek kufomat, me i varros nja ka nja”, përshkroi dëshmitari.
Ai theksoi se në mesin e kufomave nuk kishte pasur fëmijë dhe nuk i kishte njohur asnjërin nga ta.
Për të akuzuarin Bajroviq, dëshmitari Kikaj tha se e ka njohur para lufte si figurë për pozitën si polic, ndërsa kontakt me të nuk kishte pasur.
Edhe dëshmitari Bajram Dautaj dha përshkrime për dy varret të cilat i kishte çelur për ato kufoma, duke thënë edhe ai se plagët i kishte parë që kishin qenë të shkaktuara nga plumbat.
Edhe Dautaj tha se ishte i detyruar ta kryente mbledhjen dhe varrimin e kufomave.
“Me qef kurrë s’isha shku” – u shpreh dëshmitari Dautaj para gjykatës.
Para këtyre dy dëshmitarëve, gjatë paradites salla e gjyqit kumboi nga thirrja për drejtësi e prindit 86-vjeçar Daut Elshanit, të cilit i’u vranë 5 anëtarë të familjes në maj të vitit 1999, në mesin e tyre 3 djemtë.
“Këta [të akuzuarin] nuk e kom pa tuj sjellë. Ata tjerët po. Ky ka qenë i armatosur. Ka qenë në mbrojtje të tyre. Ky e din kush e ka vra konin. Unë nuk dal prej sallës pa më kallxu kush i ka vra djemtë. Ky i fortë unë i lig, ky le t’knon unë po kaj. Se ma ka mshelë derën me therrë. Nuk asht kollaj me t`i vra 3 djem pa hak, pa hile. E vëllai i katërti, Naimi i pesti. A pat shpirt kush? Asht gjynah, gjynah asht prej Zotit”, tha dëshmitari Elshani para trupit gjykues.
Ky gjykim do të vazhdojë në muajin korrik me administrimin e provave materiale.
Mbrojtja e Bajroviçit pati propozime të reja materiale të cilat u aprovuan që të administrohen.
NJë aktgjykim i gjykatës themelore me numër. P.nr.1060 të datës 22.03.2022, vërtetimin mbi pronësinë, si dhë një deklaratë e policisë së Vitomericës më të akuzuarin si i dëmtuar të datës 04.02.2019.
Mbrotja sqaroi se qëllimi i këtyre provave është të dëshmohet se i akuzuari kohë pas kohe ka ardhur në Kosovë.
Pas administrimit të provave materiale te prokurorisë dhe mbrotjes, është deklarimi i të akuzuarit para gjykatës. Nuk është ende e ditur se a do të mbrohet në heshtje apo do të i’u përgjigjet pyetjeve të mbrotjes, prokurorisë, gjyqtarëve e të dëmtuarëve.
Trupi gjykues i cili po gjykon këtë çështje penale përbëhet nga Mentor Bajraktari kryetar, anëtarët Arben Hoti dhe Kujtim Krasniqi.
Çfarë thotë dosja e Prokurorisë për Ekrem Bajroviq?
Sipas aktakuzës, gjatë luftës në Kosovë, në vitet 1998-1999, në Istog dhe në fshatrat përreth, Bajroviq ka kontribuar në aplikimin e masave represive të vrasjes, bastisjes, rrahjes, maltretimit, arrestimit, torturës dhe trajtimit në mënyrë çnjerëzore të popullatës civile.
Këto veprime akuzohet t’i ketë kryer si pjesëtar i forcave policore dhe ushtarake serbe në mënyrë individuale si dhe në bashkëkryerje me persona të tjerë.
Aktakuza thotë se në fshatin Staradran më 08.05.1999 kolona e popullsisë civile që po shkonte në drejtim të Shqipërisë ishte ndalur nga këto forca policore dhe ushtarake serbe, pjesë e të cilave ishte edhe Bajroviq, me ç’rast ishin ndarë djemtë e burrat nga pjesa tjetër e grupit.
Fillimisht atyre u ishin marrë paratë dhe sendet e tjera me vlerë, e më pas ishin vendosur në oborrin e shtëpisë së një personi ku ishin renditur me radhë, me duar të ngritura lart dhe me fytyrë nga muri i oborrit, me ç’rast forcat serbe i kishin sulmuar fizikisht dhe rrahur me mjete të ndryshme, thuhet në aktakuzë.
Gjatë kësaj kohe, sipas aktakuzës, forcat policore dhe ushtarake serbe u ishin drejtuar me fjalët: “Ku e keni NATO-n?” e “Ku e keni UÇK-në?”.
Aktakuza thotë se më pas ishin dërguar në një shtëpi, në të cilën kishin pushkatuar së paku 16 prej civilëve shqiptarë. Vetëm një prej tyre kishte mbijetuar, ndonëse i plagosur.
Ndërkaq, sipas aktakuzës, i akuzuari më 07.05.1999 kishte marrë pjesë në arrestimin, kidnapimin dhe keqtrajtimin e 84 civilëve shqiptarë, të cilët fillimisht i kishin ndarë nga kolona dhe i kishin marrë të gjitha paratë e sendet me vlerë.
Më pas këta persona i kishin dërguar në Gurakovc, në një lokal, në të cilin i kishin maltretuar dhe torturuar në mënyrë çnjerëzore e më pas i kishin transferuar në stacionin policor në Gurakovc.
Sipas aktakuzës, kolonës i ka prirë i akuzuari Ekrem Bajroviq me nacionalitet boshnjak, i cili kishte goditur me pjesën e pasme të automatikut një person në anën e djathtë nën brinjë.
Kurse më pas, sipas aktakuzës, pas vendosjes së civilëve në stacion policor, i kanë torturuar në mënyrë çnjerëzore, dhunë psikike, duke i kanosur për jetë. Më tej në aktakuzë thuhet se përveç lëndimeve të rënda trupore u janë shkaktuar trauma dhe pasoja në shëndet.
Sipas aktakuzës, këto veprime sanksionohen sipas ligjeve vendore si dhe Konventës Ndërkombëtare të Gjenevës. /Kallxo.com/