Në Dhomat e Specializuara në Hagë po vazhdon të dëgjohet dëshmia e ish-komandantit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Sylejman Selimi.
Në ditën e dytë të dëshmisë së tij në Speciale, Selimi tha se në pranverën e vitit 1998 nuk ka pasur nivele komanduese në mes të ushtarëve në teren dhe Shtabit të Përgjithshëm.
Lidhur me këtë, Selimi është përgjigjur në pyetjet e avokatit të ish-presidentit Hashim Thaçi, Luka Mishetiq.
Pjesë nga seanca:
Mishetiq: Keni deklaruar, në deklaratën tuaj, se në atë kohë nuk kishte nivele komanduese, flasim për pranverën 1998, nuk ka pasur nivele komanduese mes ushtarëve në teren dhe Shtabit të Përgjithshëm, saktë?
Selimi: Po është e saktë.
Mishetiq: A mund të themi se në atë kohë, struktura e UÇK-së në atë kohë ishte thjeshtë disa njerëz bashkëfshatarë që mblidheshin dhe përpiqeshin të krijonin një strukturë?
Selimi: Po.
Mishetiq: Pra, ky grup personash, mes të cilëve edhe ju, i bënit vet propozimet se kush do të jetë përgjegjës për çfarë detyre dhe kush do të jetë komandant i zonës, saktë?
Selimi: Ka pasur në zonën e Drenicës disa grupe ose disa shokë të tjerë të cilët kanë pasur edhe ata ushtarët e vet, dhe prej gjithë këtyre grupeve ne kemi ardhur deri te një propozim për komandant të Drenicës. Është e saktë.
Selimi e ka nisur dëshminë të hënën, si dëshmitar me kodin 04290 dhe atij i është dhënë garanci se nuk do të ndiqet penalisht për dëshminë e tij.
Procesi gjyqësor ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit ka nisur në prill të vitit 2023 ndërkaq, ata po qëndrojnë në qendrën e paraburgimit prej nëntorit të vitit 2020.
Ndaj tyre rëndojnë akuza për krime të pretenduara të luftës.
Ish-krerët e UÇK-së janë deklaruar të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës./KP/