Site icon Telegrafi

Dëshmia e diplomatit austriak në Hagë: Përmes rrugëve të inteligjencës kishin kuptuar planin “Patkoi” të Milosheviqit për dëbimin e shqiptarëve nga Kosova

Dëshmitari i 68-të i Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS), diplomati austriak Jan Kickert, duke u përgjigjur në pyetjet e avokatit të Hashim Thaçit, Luka Mishetiq, tha se përmes rrugëve të tyre të inteligjencës, kishin kuptuar planin “Patkoi” të presidentit serb, Sllobodan Millosheviq për dëbimin e shqiptarëve nga Kosova.

“Ne morëm vesh që forcat jugosllave do të dëbonin shqiptarët drejt vendeve fqinje, drejt Shqipërisë dhe Maqedonisë në formën e patkoit nga qendra drejt periferisë dhe më pastaj drejt vendeve fqinje. Unë këtë informacion e kam marrë nga atasheu ynë ushtarak”, tha dëshmitari.

Ndërsa, duke u fokusuar në periudhën e pasluftës, dëshmitarit iu vendos një video e Hashim Thaçit, në të cilën thoshte se nuk do të lejojnë anarki dhe frymë të jotolerancës në Kosovë, si dhe ata do të respektojnë rregullat dhe rendin demokratik, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Dëshmitari pohoi se ishte në dijeni për qëndrimin e Thaçit dhe politikat e tij që etnitë e tjera të jetojnë në Kosovë. Ai gjithashtu, pohoi se Thaçi kishte tentuar që të shkojë të takohet në mënyrë të drejtpërdrejtë me civilët serbë për t’i bindur ata që të qëndrojnë në Kosovë.

Në seancë u prezantua edhe një memorandum, të cilën dëshmitari pohoi se e kishte hartuar më 25 tetor 1999. Sipas Mishetiq, në këtë memorandum thuhej se situata kishte ndryshuar në Kosovë dhe se në rend të parë janë ish-komandantët e UÇK-së.

“Thoni që takimi në Banjë ilustron edhe njëherë tjetër se hierarkia sociale e tradicionale e Kosovës rurale është tjetërsuar, është përmbysur që kur është shfaqur UÇK-ja. Pleqtë e sotëm vijnë pas ish-komandantëve të UÇK-së. Për shembull, nëse ‘Çeliku’ futet në shtëpi unë ndaloj së foluri. ‘Çeliku’ në terma të përgjithshme thuhet se thotë “Çfarë them unë, është ligj këtu” dhe kjo pa diskutim që kërkon shtjellime të mëtejshme”, tha Mishetiq.

Në përgjigjen e tij sa i takon asaj se si kuptohej shprehja e Fatmir Limajt, dëshmitari tha se ai ishte personi fjala e të cilit kishte peshë.

“E kuptoj që ai e vendoste ligjin. Ai ishte personi që fjala e tij kishte peshë. Çfarë thoshte ai bëhej sepse ai ka shërbyer si komandant i UÇK-së për rajonin aty në atë kohë”, tha dëshmitari.

Më pas, shkurtimisht dëshmitari u mor në pyetje nga mbrojtja e Veselit, përmes avokatit Ben Emmerson, i cili e pyeti lidhur me datat se kur ishte takuar diplomati me të akuzuarin gjatë periudhës së luftës.

Kurse, në pyetjet e mbrojtjes së Selimit përmes avokatit Geoffrey Robert, dëshmitari tha se në vitin 1999 UÇK-ja ishte më e strukturuar se në vitin 1998.

Dëshmia e dëshmitarit Kickert pritet që të vazhdojë edhe në seancën e ditës së nesërme.

Exit mobile version