Një luftëtare e UFC-së e ka përgjakur një burrë i cili ishte munduar t’ia vjedh telefonin duke pretenduar se kinse në brez ka një revole – që në të vërtetë ishte e punuar nga kartoni.
Polyana Viana nga Brazili po priste taksinë në lagjen Jacarepagua në Rio de Janeiro, kur një hajn e urdhëroi t’ia dorëzoi telefonin dhe duke e paralajmëruar që të mos ndërmerr ndonjë veprim pasi ishte i armatosur, transmeton Telegrafi.
Por, 26-vjeçarja nuk priti shumë dhe filloi ta shqelmoj e grushtoj, duke bërë që hajni të pendohet gjatë gjithë jetës për veprimin. Megjithatë, ajo nuk u ndal me kaq, e mbajti me forcë në vendin e ngjarjes derisa u shfaq patrulla e policisë.
Presidenti i UFC-së, Dana White, ka shpërndarë fotografitë e burrit me lëndime të rënda në fytyrë, kurse në një fotografi tjetër shihet se si “arma” në fakt ishte e punuar nga kartoni.
“Një burrë mu afrua dhe më pyeti se sa është ora, aty e kuptova që nuk do të largohet. Kështu e futa telefonin në xhep, megjithatë ai më urdhëroi që t’ia jep dhe të mos reagojë sepse ishte i armatosur. Por, pasi që e futi dorën në brez e kuptova se ishte diçka shumë e butë. Kur mu afrua mendova se nëse ka armë ai nuk do të ketë kohë ta nxjerr. Kështu u ngrita dhe e godita dy herë me grusht dhe një me herë këmbë. Ai u rrëzua dhe unë menjëherë i kërceva sipër për ta mbajtur derisa u shfaq policia”, ka deklaruar Viana. /Telegrafi/