Franca ka arritur të fitojë trofeun e Ligës së Kombeve, pasi ka triumfuar 2-1 në finale me Spanjën.
Ishte një ndeshje fantastike, ku në fund francezët triumfuan me një përmbysje spektakolare.
Kështu Franca bëhet Kombëtarja e parë që fiton Kampionatin Botëror, Kampionatin Evropian dhe Ligën e Kombeve.
Fillimisht Deschamps foli për ndeshjen duke treguar se si arritën të rikthehen në lojë për ta fituar në fund trofeun.
“Ata ishin kundërshtarë me shumë cilësi. Në 20 minutat e para ne kishim topin, pastaj vuajtëm pak më shumë. Edhe pse pësuam një gol, ne u rikthyem në lojë”.
“Morëm përsipër më shumë rreziqe dhe na ndihmoi të rikuperonim më shumë topa dhe të ishim më të rrezikshëm. Spanja njihet për aftësinë që ka për të mbajtur topin, por ne me cilësinë tonë arritëm të fitonim”.
Franca në gjysmëfinale dhe në finalen e Ligës së Kombeve ka luajtur me një sistem tjetër, ku është përdorur formacioni 3-4-1-2 dhe Deschamps ka folur për këtë skemë.
“Mungonte disi automatizimi i lëvizjes së lojtarëve me njëri-tjetrin. Tre mbrojtësit qendrorë u tërhoqën pak pas, por kjo shërbeu për të qenë më të rrezikshëm në sulm. Megjithatë, nuk është e rëndësishme skema, por si zbatohet ajo”, deklaroi Deschamps.
Krejt në fund tekniku francez foli edhe për paraqitjen e Kombëtares franceze në Euro 2020 dhe Ligën e Kombeve si dhe për ecurinë e Theo Hernandez.
“E kaluara mbetet në të kaluarën. Ne patëm dhjetë minuta dobësie, por arritëm të dilnim nga ajo gjendje. Në Kampionatin Evropian donim të shkonim më tej, por nuk kemi pse të hedhim poshtë gjithçka që kemi bërë”.
“Ka lojtarët që kanë pak ndeshje me kombëtaren si Theo Hernandez, por paraqitja e ekipit nuk ka rënë. Unë jam i kënaqur me atë që kanë bërë lojtarët e mi. Nuk ka mungesë besimi, lojtarët kanë konfirmuar se ata po luajnë në një nivel shumë të lartë”, u shpreh Deschamps. /Telegrafi/