Telegrafi

Deschamps: Pres që Pogba të jetë lider në mesfushë

Trajneri i Francës, Didier Deschamps, pret që Paul Pogba të kthehet në lider te kombëtarja.

Ta çojë topin në rrjetë nuk është detyra kryesore e Paul Pogba. I këtij mendimi është trajneri i Kombëtares franceze Didier Deschamps, i cili ka vënë theksin se pavarësisht formës së mirë që ka shfaqur mesfushori këtë sezon tek Juventusi, tifozët e Francës nuk duhet të presin që 23-vjecari të bëjë rolin e një sulmuesi, pasi detyra e vërtetë e tij është të jetë një lider në repartin e mesit të fushës.

“Personalisht jam shumë i kënaqur me formën e Pogba. Njerëzit nuk duhet të presin prej tij që të bëjë rolin e sulmuesit, sepse ai është një mesfushor. Sigurisht që mund të shënojë gola, por detyra kryesore e tij është të ketë nën kontroll mesfushën.”

Më tej Dechamps është shprehur se ylli Juventusit është një talent i lindur dhe gjatë këtyre viteve të fundit ai është rritur shumë si futbollist në aspektin taktik të lojës, duke u kthyer në njeriun kyç si tek bardhezinjtë ashtu edhe tek Kombëtarja Franceze.

“Në pak vite Pogba është shndërruar në një futbollist të jashtëzakonshëm. Të gjithë në jemi dëshmitarë të këtij fakti. Ai di si të shënojë gol, por edhe të shërbejë asiste. Gjithashtu jam i bindur se edhe përgjatë evropianit ai do të di t’i tregojë vlerat e tij si futbollist dhe ti vi në ndihmë skuadrës në momente delikate”, ka thënë Deschamps.