Përzgjedhësi i Francës, Didier Deschamps, ka thënë se do të adoptonte një model të ngjashëm të lojës sikur ai i Juventusit po të drejtonte një klub futbolli.
Në një intervistë për L’Equipe, fituesi i Kupës së Botës ka folur lidhur me situatën e pandemisë në gjithë botën, si edhe për taktikat që do të përdorte në rast se do të ishte trajner i një klubi në vend të një përfaqësueseje.
“Do ta ndiqja shkollën e Juves, ku bëhen shumë stërvitje dhe në një nivel shumë të lartë për të marrë rezultate”, ka deklaruar ish-lojtari i Juventusit duke shtuar se nuk ka shfrytëzuar asnjë shembull nga kolegët për zhvillimin e taktikave të tij.
“Edhe si lojtar, krahasimi nuk më ka interesuar kurrë. E kam ditur se çfarë duhet të bëj për të qenë i dobishëm për skuadrën time”.
“Është e padobishme të thuhet se do të veproj si (Arrigo) Sacchi, (Johan) Cruyff apo (Pep) Guardiola, duhet të kesh qëllimin që të bësh një lloj të caktuar futbolli dhe secili trajner vlerësohet në bazë të rezultateve të veta”, ka shtuar Deschamps. /Telegrafi/