Telegrafi

Dervishi si ikonë: Tabloja e fundit e Omer Kaleshit (Foto)

Kjo tablo është tabloja më e fundit e Omer Kaleshit, një dervish si i dalë nga ikonat apo afresket e Rinascimentos italiane.

Sipas studiuesit Luan Rama, “të duket se piktori ka marrë kavaletin dhe me të në kurriz ka kapërcyer Alpet, vetë shekujt, ka zbritur Toskanën dhe ka vijuar drejt jugut, në Italinë e rrahur nga dielli dhe deti për të pikturuar atje një dervish oriental, si në kohën e Vittorio Carpaccios, kur ai dhe të tjerë pikturonin ambasadorët e ardhur nga Konstantinopoja e sulltanëve në Napoli, Venecie, Firence etj”.

“E vështron këtë dervish me atë kokë të anuar si në një ikonë dhe nuk di pse mendon për një imazh të largët të Lorenzo Lottos, Guardinit, apo Boticcellit e Fra Angelicos e akoma më larg Cimabues. Një tablo ku duket se pikëtakohet orientalizmi me Rilindjen italiane nga një piktor ballkanas që pikturon si një murg nën çatinë e një atelieri në bulevardin ‘Arago’ pranë Montparnasse, aty ku fillon kubeja qiellore… Omeri i adhuron ikonat, unë gjithashtu”, ka shkruar Rama në profilin e tij në Facebook. /Telegrafi/