Analisti politik Lutfi Dervishi ka reaguar pas lajmit tronditës të ndarjes së papritur nga jeta të Gerti Bogdanit, i cili ndërroi jetë pas një arresti kardiak.
Dervishi theksoi pa përsosmërinë dhe përkohshmërinë e jetës, duke nënvizuar se vdekja e Bogdanit është një kujtesë e qartë për të gjithë, duke e cilësuar: “Sot je, sot s’je.”
Një ditë më parë, Bogdani ishte parë në një studio televizive, ndërsa në mëngjesin e ndarjes së tij, ai ishte në një kafe me shokët e tij.
Vetëm një ditë më vonë, miqtë dhe të afërmit e tij do t’i japin lamtumirën e fundit.
Ai ishte vetëm 44 vjeç.
“Figura politike dhe njerëz nga të gjitha sferat e jetës, miq e kundërshtarë, shprehën keqardhjen për këtë humbje të papritur. Bogdani, një personalitet publik i angazhuar që nga mosha e re, kishte arritur suksese të rëndësishme në politikë, përfshirë postin si deputet dhe drejtues i Forumit Rinor të PD”.
Dervishi, duke reflektuar mbi vdekjen e tij, tha se ndarja e parakohshme e Bogdanit na kujton sa të pasigurt jemi për kohën që kemi në këtë botë.
Ai citoi fjalët e urta hebraike: “Nëse do ta bësh Zotin të qeshë, tregoji se çfarë planesh ke për të ardhmen.”
Më tej, Dervishi iu referua shkrimeve të shenjta, duke nënvizuar se kuptimi i vërtetë i jetës qëndron përtej suksesit dhe objektivave materiale.
Ai citoi edhe nga Kurani: “Pasha kohën! Me të vërtetë njeriu është në humbje, përveç atyre që besojnë dhe bëjnë vepra të mira” (Kurani, 103:1-3), si dhe nga Bibla: “Gjithçka ka kohën e vet… ka kohë për të lindur dhe kohë për të vdekur” (Predikuesi 3:1-2).
Në përfundim, Dervishi nënvizoi se Bogdani do të mbahet mend për mirësinë dhe fjalët e mira që la pas. “Një frymë larg e ka njeriu vdekjen, por harron,” përfundoi ai./Telegrafi/