Site icon Telegrafi

DERRKUCI

Nga: Juan Carlos Onetti
Përktheu: Bajram Karabolli

Zonja rrinte gjithmonë veshur me të zeza dhe, pa e ndarë buzëqeshjen, zvarriste reumatizmin e saj nga dhoma e gjumit në sallon. Nuk kishte dhomë tjetër; veç kishte një dritare që shikonte nga një kopsht i vogël e i përhimtë. Pa orën që i varej mbi gjoks dhe mendoi se duhej ende edhe një orë që të vinin fëmijët. Nuk ishin fëmijët e saj. Herë dy e herë tre, ata vinin që nga banesat e rrënuara, matanë sheshit, duke kapërcyer urën e vogël prej dërrase mbi kanalin, tashmë të tharë, por që dimrit fryhej nga ujërat.

Edhe kur fillonin shkollën, ata përherë ia mbathnin prej shtëpive apo prej klasave, gjatë orës së limontisë dhe qetësisë së gjumit të pasdrekes. Që të gjithë, dy apo tre, ishin të pistë, të uritur dhe fizikisht shumë të ndryshëm. Por, plaka gjithnjë arrinte të gjente tek ata ndonjë tipar të nipit të saj të humbur: nganjëherë sytë apo çiltërsinë e syve dhe buzëqeshjen e tij i gjente te Huani; tipare të tjera të nipit ajo i gjente tek Emili apo te Gidoja. Dhe, nuk kishte pasdite që asaj të mos i rishfaqej ndonjë gjest, ndonjë tipar i të nipit.

Ngadalë, shkoi në kuzhinë që të përgatiste tre tasa me qumësht me kafe dhe petulla me marmelatë ftoi përsipër.

Atë pasdite djemtë nuk i ranë ziles së portës me kangjella, por e kapërcyen atë dhe, me nyjat e gishtave trokitën te qelqnaja e derës së shtëpisë; plaka nuk i dëgjoi dhe ata vazhduan të trokitnin me këmbëngulje, por pa e shtuar forcën. Më në fund, duke kaluar në sallon që të shtronte tavolinën, plaka ndjeu zhurmën dhe dalloi tri siluetat e tyre që kacavireshin te shkallët.

Të ulur rreth tavolinën, me bulçitë të fryrë me petullat e shijshme, fëmijët përsëritnin budallallëqet e zakonshme, akuzonin njëri-tjetrin për dështime e tradhti. Plaka nuk i kuptonte, por, me një buzëqeshje të ngrirë, i shikonte tek hanin; atë pasdite, pasi i vërejti shumë që të mos gabohej, asaj iu mbush mendja se Emili i ngjante të nipit më shumë se dy të tjerët. Sidomos nga lëvizjet e duarve.

Ndërsa lante enët në kuzhinë, dëgjoi korin e të qeshurave, zërat e ulur për ndonjë të fshehtë dhe pastaj heshtje. Dikush erdhi tinëzisht dhe ajo nuk mundi ta dëgjojë zhurmën e shurdhët të hekurit në kokën e saj. Tashmë nuk dëgjoi më asgjë, trupi iu lëkund dhe pastaj mbeti shtrirë në dyshemenë e kuzhinës.

Trazuan të gjitha mobiliet e shtëpisë, kërkuan poshtë dyshekut. I ndanë kartëmonedhat dhe monedhat, pastaj Huani i tha Emilit:

– Jepi edhe një të goditur, për t’u siguruar.

Ecën ngadalë poshtë diellit dhe, kur mbërritën te dërrasa-urë mbi kanal, u ndanë për të shkuar secili në lagjen e vet të mjerë; secili në kasollen e vet, ndërsa Gidoja, kur mbërriti tek kasollja e tij, e boshatisur si gjithmonë në pasdite, ngriti rrobat, hekurishtet e vjetra dhe rrangullat nga kashuni që kishte pranë shtratit dhe nxori andej një arkë të vogël, të bardhë e gjithë njolla, ku ruante paret e kursyera; arka e kursimeve ishte prej allçie dhe kishte formën e një derrkuci të vogël me një të çarë në kurriz. /Revista “Palimpsest”/

Exit mobile version