“Me vërejtje të vogla fushata është e mirë”, kështu e vlerëson kreu i KShZ-së, Oliver Derkoski aktivitetet zgjedhore të kandidatëve në javën e parë të fushatës zgjedhore.
Derkoski tha se janë shënuar aktivitete para nisjes së fushatës që ishte vërejtje edhe në raportin e OSBE-së dhe se në këtë pjesë do të nisen ndryshime ligjore në të ardhmen, përcjell Telegrafi Maqedoni.
“Ne nuk mund të reagojmë derisa nuk konfirmohen kandidaturat e kandidatëve për kryetar. Ata formalisht nuk ishin kandidatë në atë periudhë. Me siguri vërejtja e OSBE-së do të jetë ndryshime në Kodin Zgjedhor për definim më preciz të fushatës”, tha Derkoski.
Në kuadër të vërejtjeve të OSBE-së për diskriminim në rrjetet sociale, Derkoski thotë se në këtë fushë është e vështirë të kontrollojë dikush dhe se nga KShZ vazhdimisht ju kanë bërë apel kandidatëve dhe partive të përmbahen.
“Shtatë ditët e para, sot e teta e fushatës, me vërejtje të vogla është duke shkuar mirë dhe sipas përvojës së mëparshme mendoj se shkon mirë”, tha Derkoski.
KShZ sot duhet të vërtetojë edhe pamjen e fletëvotimit. Sipas njoftimeve nga komisioni, ashtu si në zgjedhjet e kaluara në fletëvotim do të jetë flamuri, numri rendor dhe emri i kandidatit presidenciale bashkërisht me simbolin e partisë që mbështet.
Në pyetjen se pse kandidatët do të kenë logon e partisë, Derkoski thotë se të tre kandidatët janë pajtuar që të përdorin logot partiake./Telegrafi/