Site icon Telegrafi

Derisa qytetarët e Venezuelës vuajnë për bukë, presidenti Maduro shijon në restorant specialitetet e kuzhinierit të njohur (Video)

Presidenti i Venezuelës, Nicolas Maduro ka shkaktuar reagime të ashpra tek bashkëqytetarët e tij, pas publikimit të disa videove në rrjetet sociale, ku shihet duke shijuar në maksimum specialitetet e përgatitura në një restorant luksoz në Turqi.

Maduron po e shoqëronte gruaja në restorantin Nusr-Et, që është në pronësi të kuzhinierit të njohur Nusret Gokçe i njohur me nofkën Salt Bae, transmeton Telegrafi.

Ky kuzhinier i famshëm këto ditë ka pritur në restorantin e tij presidentin e Venezuelës të cilët i shërbeu disa nga specialitetet që i përgatiti ai, kurse shumë vonë e kuptoi se çfarë reagime të ashpra do të shkaktojnë videot që i ka publikuar në Instagram.

Edhe pse i hoqi nga profili, ato kishin arritur t’i shohin qytetarët e uritur të Venezuelës. Në një video shihet Salt Bae duke përgatitur mishin, kurse Maduro kënaqej vetëm duke e shikuar.

Në një video tjetër, Maduro nxjerr nga një kuti cigaren me inicialet e tij të shkruara, derisa gruaja Celia Flores pozon me një bluzë të veshur me fotografi të Salt Bae.

Në Venezuelë raportohet se rreth 64 për qind e qytetarëve vuajnë nga uria, kurse mungesa e ushqimit tek fëmijët është në nivele alarmante. Sipas statistikave që nga viti 2015 e deri më sot, Venezuelën e kanë braktisur rreth 2.3 milionë banorë.

Lideri i partisë opozitare, Julio Borges i cili ka ikur nga vendlindja e tij nga frika se do të arrestohet, ka shkruar në Twitter se presidenti dhe gruaja e tij kanë bërë luks me paratë që i ka vjedhur nga qytetarët e Venezuelës.

“Derisa shumica e qytetarë tanë vdesin urie, Nicolas Maduro dhe Celia Flores janë duke u kënaqur në njërin nga restorantet më të shtrenjta në botë. Natyrisht, me paratë që i ka vjedhur nga qytetarët e Venezuelës”, ka shtuar Borges. /Telegrafi/

Exit mobile version