Jamie Foxx përfundoi me qepje të premten e kaluar pasi festoi ditëlindjen e tij në një restorant në Los Angeles.
“Ai ishte në një darkë ditëlindjeje kur dikush nga një tavolinë afër e goditi në fytyrë me një gotë”, konfirmuan zëdhënësit e tij për Page Six, duke shtuar se ai kishte disa qepje dhe se tani po shërohet.
“Ka ndërhyrë edhe policia dhe i gjithë rasti tani është në dorën e tyre”, kanë thënë ata.
Më pas policia ka njoftuar se ngjarja është raportuar rreth orës 22:00 dhe se ka pasur një sulm fizik dhe hetimet janë ende në vazhdim.
Dëshmitarët thanë për mediat e huaja se të ftuarit nga tavolina ngjitur ishin të pasjellshëm dhe vulgarë ndaj Foxx-it, i cili u kërkoi ta linin vetëm sepse ishte me familjen e tij.
Jo shumë kohë më pas, dikush i hodhi një gotë duke e goditur në fytyrë. Pak para incidentit, Foxx u fotografua jashtë restorantit duke nënshkruar autografe për fansat. Me atë rast ka deklaruar se është mirënjohës që ka përjetuar një ditëlindje tjetër.
Disa orë pas incidentit, Foxx reagoi në rrjete sociale duke i falënderuar të gjithë për përkrahjen. /Telegrafi/