Një homoseksual që ka jetuar më parë në Katar ka pohuar se ishte ndjekur nga forcat e policisë së vendit përpara se të përdhunohej në grup në një dhomë hoteli.
Katari është organizatori i Kupës së Botës që fillon më 20 nëntor të këtij muaji, pavarësisht të dhënave të tmerrshme për shkelje të të drejtave të njeriut. Një nga shqetësimet më të mëdha në lidhje me vendin e Lindjes së Mesme janë ligjet kundër homoseksualitetit, me personat LGBT+ që rrezikojnë me burgim apo edhe dënimi me vdekje.
Ndërsa Nasser Al Khater, i cili është përgjegjës për organizimin e turneut, ka këmbëngulur shpesh se “të gjithë janë të mirëpritur” në Katar, këto pretendime janë kundërshtuar. Personat LGBT+ që kanë jetuar në Katar kanë zbuluar tmerrin e vërtetë të paragjykimit me të cilin përballet komuniteti në vend.
Një homoseksual nga Filipinet, i cili punonte në Katar si asistent zyre, ka treguar se si u josh në një hotel dhe u përdhunua në grup nga policia. Burri i quajtur Ali,ka thënë se ai mori një mesazh në një aplikacion takimesh homoseksuale nga një burrë që pretendonte se ishte një punëtor turk.
Ata i ofruan Aliut një shumë të konsiderueshme parash për të ardhur në dhomën e tij të hotelit, por kur ai mbërriti, ai u përball me gjashtë burra që identifikoheshin si policë të Katarit. Më pas, oficerët e policisë vazhduan të sulmojnë brutalisht Aliun, ndërsa turku po vëzhgonte.
“Doja shumë të kërceja nga dritarja, por nuk mundesha, ishte shumë lartë dhe tashmë isha futur në qoshe brenda dhomës. Më kapën dhe më hodhën në shtrat. Filluan të më përdhunojnë”, deklaroi ai.
Sapo një polic mbaroi së sulmuari, ai pretendon se një tjetër filloi. Më pas oficerët e policisë kontrolluan çantën e tij, duke e akuzuar si prostitutë, përpara se të mbërrinte një tjetër homoseksual, pasi ishte joshur gjithashtu në një hotel.
Dyshja u dërguan më pas në një stacion policie ku u gjobitën me 300 rial (monedhë e Katarit), rreth 80 euro. Aliu u mbajt në burg atë natë, përpara se policia ta çonte në një qendër dëbimi dhe t’i anulonte vizën. /Telegrafi/