Site icon Telegrafi

Derisa Kuba po ballafaqohet me krizën e rëndë ekonomike, nipi i Fidel Castros filmohet duke vozitur veturë luksoze – nxit reagime të ashpra të qytetarëve

Nipi i Fidel Castros, ka nxitur reagime të ashpra pas publikimit të një videoje, ku ky i ri shihet duke vozitur me shpejtësi të madhe me veturën e tij luksoze Mercedes nëpër rrugët e Kubës.

Sandro Castro, pronar i një klubi të natës, shihet në video duke vozitur me shpejtësi të madhe në një autostradë, në kohën kur vendlindja e tij – Kuba, është duke përjetuar krizën më të rëndë ekonomike që nga viti 1990, e kjo po ndodh falë pandemisë së coronavirusit, transmeton Telegrafi.

Ai ishte filmuar nga një vajzë e re që e shoqëronte në veturë, kurse Castro me një dozë ironie thotë se “ne jemi njerëz të rëndomtë, por se nganjëherë na duhet t’i nxjerrin nga shtëpia lodrat tona”.

Sikur kjo të mos mjaftonte, ai inkurajon vajzën që e shoqëronte që ta filmojë orën që regjistronte shpejtësinë e lëvizjes – 145 kilometra në orë.

Kujtojmë që në Kubë lëvizja e veturave është e kufizuar në 100 kilometra në orë, kjo për shkak të gjendjes së mjerueshme të rrugëve.

Por një rregull i tillë nuk vlente për nipin e Castros i cili është në të 20-at, që po kritikohet ashpër për luksin e tij në kohën kur vendi po ballafaqohet me krizë shumë të rëndë ekonomike. /Telegrafi/

Exit mobile version