Presidenti brazilian Jair Bolsonaro ka përshëndetur sot qindra përkrahës të tij, që ishin mbledhur për ta përkrahur propozimin e tij për hapje të ekonomisë në kohën e pandemisë së coronavirusit. E disa prej tyre ai i është bashkuar duke bërë ushtrime me ata – më saktësisht duke bërë pompa.
Në Sao Paolo të Brazilit pavarësisht urdhrave të autoriteteve lokale që u kanë bërë thirrje qytetarëve të qëndrojnë nëpër shtëpitë e tyre, përkrahësit e presidenti brazilian kanë mbajtur tubim duke shfaqur haptazi përkrahjen për Bolsonaron, kur ky presidenti po ballafaqohet me presion të madh për mënyrën se si ka menaxhuar krizën e coronavirusit, nga i cili deri më tani kanë humbur jetën mbi 15 mijë brazilianë, transmeton Telegrafi.
I gëzuar me prezencën e tyre, Bolsonaro iu tha mbështetësve të tij se shpreson së çështjen e pandemisë së shpejti do ta zgjidh, për “të mirën e të gjithë qytetarëve brazilianë”.
“Brazili do të rikthehet më i fuqishëm”, ka deklaruar Bolsonaro, raporton Associated Press.
https://www.youtube.com/watch?v=Uagmpxy_g7g&feature=emb_title
Ai më pas i ka bërë thirrje një grupi prej rreth 20 parashutistësh që kishin marrë pjesë në tubim, që t’i bashkohen në shkallët e ndërtesës së presidencës.
Të veshur me rroba të kamufluara ushtarake dhe bluza me mbishkrim “Bolsonaro” e bereta të kuqe në kokë, ata betoheshin për besnikëri ndaj presidentit dhe familjes së tij.
Sikur kjo të mos mjaftonte, ata iu bashkuan Bolsonaros në një seri të pompave që i bëri para të pranishmëve, skenë kjo që ngjante pak a shumë me ato të filmave aksion.
Mbështetësit e Bolsonaros çdo ditë mblidhen para rezidencës së tij, kurse një numër më i madh i tyre është vërejtur gjatë vikendit të kaluar. Madje disa prej tyre mbanin në duar transparentë kundër Kongresit dhe Gjykatës, duke i akuzuar se janë pjesë e konspiracionit që rrezikon mandatin e Bolsonaros. /Telegrafi/