Site icon Telegrafi

Deri tek KSHZ janë dorëzuar gjashtë ankesa për referendumin

Deri më tani, KSHZ ka pranuar gjashtë ankesa rreth procedurës për votim, tabelimin dhe përcaktimin e rezultateve për referendumin që u mbajt ditën e diel më 30 shtator, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Ankesat kanë të bëjnë me qendrat e votimit në Kumanovë dhe Vinicë, ndërsa njëra prej tyre kërkon të ndërhyhet në të gjithë materialin e votimit.

Afati për dorëzimin e ankesave skadon sot në orën 22:00.

Sipas informatave të KSHZ-së, dy nga ankesat kanë të bëjnë me një vendvotim në Kumanovë dhe janë të të njëjta në përmbajtje. Një nga vëzhguesit në këtë qendër votimi paraqiti këto dy ankesa identike në të cilat ai pretendonte se kryetari i bordit zgjedhor kishte abuzuar me detyrën e tij me korrigjimet në procesverbalin e votimit.

Katër ankesat tjera janë ngritur nga Todor Petrov dhe nga Kongresi Botëror Maqedonas.

Todor Petrov në njërën nga kërkesat kërkon që të rishikohen të gjitha materialet e votimit në referendum.

Ndërsa njëra ankesë ka të bëjë me vendvotimin në Vinicë, ku siç thuhet në ankesë, mungojnë shtatë nga listat e pa përdorura të votuesve. /Telegrafi/

Exit mobile version