Site icon Telegrafi

Deri të hënën pritet të zgjidhet problemi me transportin e nxënësve në komunën e Tetovës

Siç kemi njoftuar gjatë ditës, nxënësit e gjimnazit të Tetovës sot kanë bojkotuar mësimin të revoltuar për mungesën e transportit që duhet t’ua sigurojë komuna e Tetovës, njofton Telegrafi Maqedoni.

Ata e kanë lëshuar procesin mësimor dhe i janë drejtuar komunës së Tetovës, ku kanë kërkuar takim me kryetaren e komunës, Teuta Arifi, për të kërkuar një zgjidhje të hallit të tyre të transportit.

Lexo po ashtu Nxënësit e gjimnazit të Tetovës bojkotojnë mësimin (Foto)

Pas grumbullimit te hyrja e komunës së Tetovës, nxënësit janë lejuar të futen në sallën e këshillit komunal. Aty kanë mbajtur takim me kryeshefin e sektorit për arsim, Ahmet Qazimi, kurse i pranishëm ka qenë edhe drejtori i gjimnazit, Namikqemal Mustafa.

Lexo po ashtu Protestojnë nxënësit para Komunës së Tetovës (Foto)

Fillimisht, medaive të pranishme në takim u është kërkuar që ta lëshojnë sallën. Kryeshefi Qyzimi ka njoftuar se kontrata me transportin e nxënësve ka përfunduar me fillimin e vitit shkollor. Ai ka bërë të ditur se janë mbajtur disa takime me kompanitë transportuese.

Ahmet Qazimi ka deklaruar se sot ose nesër do të mbahet edhe një takim tjetër me këto kompani, për t’u arritur një marrëveshje. Ai ka premtuar se problemi do të tejkalohet dhe se nga dita e hënë nuk do të ketë më probleme për transportin.

Nxënësit që kanë humbur orët mësimore nuk do t’u shënohen si mungesë. Kjo ishte e gjitha sa i përket takimit të nxënësve me përfaqësusit e sektorit të arsimit në komunën e Tetovës, megjithatë nxënësit paralajmërojnë se do të vazhdojnë me protestë, nëse nuk zgjidhet ky problem./Telegrafi/

Exit mobile version