Ka shkuar në tetë numri i personave të vdekur për shkak të motit të ftohtë që ka prekur Shqipërinë ditën e fundit.
Mes viktimave është dhe një fëmijë 12 vjeçar, i cili u mbyt në liqenin e Kasharit që kishte ngrirë pjesërisht. Djali së bashku me motrën e tij po loznin në akull kur është çarë duke i shkaktuar mbytjen e fëmijës.
Motra e tij 15 vjeçe arriti të shpëtonte pasi u ndihmua nga disa efektivë policie që ndodheshin rastësisht aty.
Edhe në Fier një bari humbi jetën pasi u mbyt, kur akulli që kishte mbuluar sipërfaqen e ujit është çarë, shkruan Ora News.
Ndërkohë në qytetin e Pogradecit është gjetur i pajetë në banesën e tij 40 vjeçari Renato Shuka, i njohur edhe si Anastas Shuka, me emrin e pagëzimit.
Burime nga policia e Pogradecit bëjnë me dije se viktima, nuk kishte ndezuar ngrohje në banesë, dhe dyshohet se ka gjetur vdekjen nga hipotermia si pasojë e temperaturave të ulëta.