Site icon Telegrafi

Deri tani në Kosovë mbi 61 mijë të infektuar dhe 1,509 të vdekur nga coronavirusi

Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik bën të ditur se numri total i rasteve pozitive është 61.086 raste nga 240.696 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe 1.509 raste të vdekjes.

Gjatë 24 orëve të fundit, janë shëruar 207 pacientë derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 53.017 raste, kurse numri i rasteve aktive është 6.560.

Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik në vazhdimësi bën thirrje për respektimin e masave antiCOVID-19.

IKSHPK vlerëson se këto masa mund të ndërprejnë rritjen e numrit të rasteve, të parandalojnë mbingarkesën e hospitalizimeve dhe të parandalojnë rritjen e  numrit të vdekjeve.

“IKSHPK apelon tek të gjithë qytetarët, institucionet dhe organizatat publike dhe private, për respektimin dhe ndërmarrjen e të gjitha masave të nevojshme për parandalimin, menaxhimin dhe kontrollin e infeksionit COVID-19, duke marrë parasysh dispozitat e Ligjit për parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19, dhe vendimet në fuqi mbi masat dhe obligimet e institucioneve për zbatimin e masave të përgjithshme dhe specifike për mbrojtjen nga pandemia COVID-19.

Në veçanti, bëjmë thirrje për zbatimin e rekomandimeve dhe respektimin e masave kufizuese për aktivitetet publike, përkatësisht kufizimeve për grumbullimin e qytetarëve dhe tubimeve publike.

Grumbullimi i qytetarëve pa maska dhe pa mbajtje të distancës shton rrezikun e përhapjes së infeksionit përderisa virusi SARS-COV-2 është prezent në mesin tonë.

Apelojmë tek institucionet përgjegjëse, përkatësisht Policia e Kosovës dhe inspektoratet përgjegjëse që të mbikëqyrin me përpikëri dhe të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për zbatimin e masave dhe vendimeve të tjera në fuqi në zbatim të Ligjit për parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19 në Republikën e Kosovës”. /Telegrafi/

 

Exit mobile version