Deri tani në Kosovë janë vaksinuar 29.704 persona me dozën e parë dhe asnjë nga ta nuk kanë raportuar efekte të rënda pasvaksinale.
Kështu bëhet e ditur në një njoftim të Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik.
Në këtë njoftim thuhet se vaksinat kundër COVID-19, janë mundësia jonë më e mirë në mposhtjen e pandemisë dhe kthimin në normalitet.
Po ashtu thuhet se vaksinat kundër COVID-19 veprojnë së bashku me mbrojtjen natyrale të trupit tuaj për të krijuar imunitet kundër virusit.
IKSHPK thekson se vaksinat e aprovuara nga EMA janë të sigurta dhe për t’u aprovuar përdorimi i vaksinave kundër COVID-19, ato duhet t’i përmbushin standardet më të larta të sigurisë dhe efikasitetit.
Instituti bën të ditur se janë aprovuar disa lloje të vaksinave kundër COVID-19, të cilat janë njëlloj të përshtatshme për mbrojtje ndaj COVID-19 dhe për të luftuar pandeminë, ndërkaq prej tyre, në Kosovë tani në dispozicion janë dy lloje të vaksinave, duke përfshirë:
Vaksinat vektoriale virale (Astra Zeneca), të cilat përdorin një virus të padëmshëm që bart proteinat e koronavirusit për ta shkaktuar në mënyrë të sigurt një përgjigje imunologjike. Vaksina jepet në dy doza me 9-12 javë distancë në mes të dy dozave.
Vaksinat e acidit nukleik (mARN Pfizer BioN/Tech) përdorin ARN gjenetikisht të modifikuar, për të gjeneruar një proteinë që vetë në mënyrë të sigurt shkakton një përgjigje imunologjike. Vaksina jepet në dy doza me 3-4 javë distancë në mes të dy dozave. /Telegrafi/