Në sallën “1 tetori” në Prishtinë po vazhdon vaksinimi i personave të moshës mbi 75-vjeç të shoqëruar me sëmundje kronike.
Në këtë qendër sot vaksinimin po e bënë edhe personeli shëndetësor i FSK-së, që kanë ardhur për t’u trajnuar dhe përgatitur për kontingjentin e radhës së vaksinave që pritet të vijnë.
Koordinatori i kësaj qendre, Niman Bardhi, tha se nga data 8 prill e deri më sot janë vaksinuar mbi 2930 persona, prej tyre 1311 të moshës mbi 75-vjeç të shoqëruar me sëmundje kronike, 191 personel shëndetësor, 1261 nga grup-moshat mbi 80 dhe mbi 85-vjeç, dhe 54 persona në dializë.
Bardhi tha se deri më sot në Kosovë janë vaksinuar rreth 20 mijë persona, si dhe pritet që Komiteti drejtues të vendos se me cilën kategori të personave të vazhdojë vaksinimi.
“Edhe sot në ditën e radhës kemi vazhduar me vaksinimin e personave në moshën mbi 75 të shoqëruar me sëmundje kronike ku aktualisht deri në këto çaste që ne flasim prej datës 8 në total janë vaksinuar mbi 2930 persona, ku prej tyre të sëmurë kronikë kemi pasur mbi 1311, ndërsa personel shëndetësor 191, të moshuar por jo të shoqëruar me sëmundje kronike kemi 1261 dhe persona në dializë 54. Aktualisht jemi te shifra sipas totalit nëse i referohemi jemi diku te 20.000 persona në nivel vendi të vaksinuar…Presim nga komiteti drejtues që do të del me vendime dhe të shohim se me cilat kategori të personave do të vazhdojmë vaksinimin”, tha Bardhi.
Ai shtoi se personeli shëndetësor i FSK-së është duke u trajnuar për t’u përgatitur për kontingjentin e radhës së vaksinave. Sipas tij, qëllimi i këtij trajnimi është që të ketë ekipe në dispozicion dhe të mos ketë mungesë të tyre.”Ne kemi kërkuar që paraprakisht të bëjmë përgatitjen dhe trajnimin e tyre, gjithmonë me shpresë për kontingjentet e reja që do të vijnë të vaksinimit dhe normalisht kur pritet numri i rritjes së madhe të fluksit të popullatës, atëherë të kemi ekipe në dispozicion dhe të mos jemi të sfiduar në mungesë të tyre. Kjo ka qenë arsyeja që në këtë proces që ju po i shihni kolegët tanë që janë profesionistë shëndetësorë brenda FSK-së, tani sot ata janë në proces trajnimi për të parë procedurat se si duhet të punuar me qytetarët”, tha ai.
Ndryshe, më 28 mars në Kosovë arritën dozat e para të vaksinës kundër coronavirusit. Bëhet fjalë për 24.000 doza AstraZeneca, të cilat Kosova i ka pranuar nga programi COVAX i Organizatës Botërore të Shëndetësisë.
Autoritetet kanë miratuar një Plan të vaksinimit i cili është i ndarë në tri faza. Në fazën e parë, sipas këtij plani do të vaksinohen grupet me rrezik të lartë ku përfshihen punëtorët shëndetësorë, banorët dhe punëtorët shëndetësorë të shtëpive të kujdesit për të moshuarit, grup-moshat 80+ dhe një pjesë e popullsisë me sëmundje kronike (persona në dializë, persona me diabet, sëmundje kardiovaskulare). Në këtë grup, numri i përgjithshëm i personave llogaritet të jetë 54.000 mijë apo tre për qind e popullsisë së përgjithshme të Kosovës, raporton kp.
Faza e dytë përfshihen grup-moshat 65-79 vjeç, popullsia e mbetur me sëmundje kronike, mësimdhënësit dhe forcat e sigurisë që janë të përfshira në menaxhimin e pandemisë COVID-19. Ky grup përbëhet nga 306.000 persona apo 17 për qind.
Për fazën e parë dhe të dytë, sipas Planit për vaksinim, do të përdoren vaksinat që Kosova do të marrë nga programi COVAX. Ndërkaq, për fazën e tretë parashihet të bëhet vaksinimi i 50 për qind të popullsisë në mënyrë që të arrijë 900 mijë persona ose 70 për qind të mbulimit të përgjithshëm të popullsisë me vaksinën antiCOVID-19.
Kompania farmaceutike AstraZeneca, e ka zhvilluar vaksinën kundër koronavirusit në bashkëpunim me Universitetin e Oksfordit. Vaksina administrohet te personat mbi 18 vjeç dhe jepet përmes dy dozave.
Intervalet ndërmjet dozave variojnë nga katër deri në 12 javë. Disa studime kanë sugjeruar se sa më e gjatë të jetë distanca kohore ndërmjet dozës së parë dhe të dytë, aq më shumë ka gjasa që vaksina të nxisë imunitet kundër sëmundjes COVID-19.
AstraZeneca ka thënë se efikasiteti i vaksinës së saj në parandalimin e simptomave të COVID-19 është 76 për qind.