Site icon Telegrafi

Deri në shtator falimentuan 1235 biznes

Nuk janë të pakta dyqanet nëpër kryeqytet e po ashtu edhe nëpër qytete tjera të Kosovës te të cilat pronarët e bizneseve vendosin mbishkrimin “Mbyllje e lokalit”. Kjo për shkak të afarizmit jo të mirë çon biznesin drejt falimentimit.

Edhe këtë vit, sikur edhe viteve tjera, ka vazhduar trendi i rritjes së numrit të bizneseve të mbyllura në Kosovë. Kështu që deri në shtator të këtij viti, janë mbyllur 1,235 ndërmarrje, apo 11 ndërmarrje më shumë se sa në periudhën e njëjtë të vitit paraprak, bënë të ditur Banka Qendrore e Kosovës (BQK) me publikimin “Vlerësimi tremujor i ekonomisë”.

Po ashtu BQK thekson se edhe numri i ndërmarrjeve të regjistruara ka shënuar rritje për 124 sosh, pra që deri në shtator janë regjistruar 7,353 ndërmarrje të reja. Bizneset në Kosovë, sipas hulumtimeve të ndryshme, janë në gjendje të vështirë, duke filluar nga tarifat e larta të energjisë elektrike e ndërprerja e saj pa paralajmërim, normat e larta të interesit të kredive, taksa doganore e politika jo të mira fiskale.

Numri i përgjithshëm i bizneseve që figurojnë të regjistruara në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve në kuadër të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, është mbi 130 mijë. Prej tyre 99.1 për qind u takojnë ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme.

Mirëpo, përfaqësuesit e komunitetit të biznesit thonë se shuarja në numri të madh të bizneseve gjatë këtij viti duhet të jetë shqetësuese për Qeverinë e Kosovës, e cila duhet ta merr me shumë seriozitet këtë indikatorë për të bërë më tepër në këtë drejtim.

Safet Gërxhaliu, kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), ka thënë ditë më parë për KosovaLive se ambienti biznesor në Kosovë nuk është në funksion të zhvillimit dhe perspektivës. “Arsyeja kryesore e shuarjes së bizneseve është mungesa e sundimit të ligjit, kamatat e larta të kredive bankare, qasja në financa alternative, rënia e fuqisë blerëse dhe konkurrueshmëria”, thotë Gërxhaliu.

Ai thotë se sektori privat nuk ka nevojë vetëm për mbështetje, por edhe për mbrojtje dhe se në këtë drejtim ka një dështim institucional, ku shuarja e bizneseve është me përmasa shqetësuese.

Sipas tij, duhet të hulumtohen alternativat e dhënies së kredive të buta në aspekt afatgjatë me qëllim që biznesi të ketë frymëmarrje, në të kundërtën, ardhmëria e Kosovës do të jetë e zymtë dhe në qoftë se nuk do të ketë zhvillim ekonomik, nuk mund të ketë stabilitet ekonomik dhe social dhe as përshpejtim të proceseve integruese.

Sipas publikimit të BQK-së, edhe gjatë kësaj pjese të vitit 2015, kanë dominuar ndërmarrjet e regjistruara në tregti me 2,157 ndërmarrje të reja, prodhimtari me 776 ndërmarrje, hoteleri me 772 ndërmarrje dhe bujqësi me 675 ndërmarrje.

“Kundrejt periudhës së njëjtë të vitit të kaluar, tek sektori i bujqësisë është shënuar rritja më e lartë e ndërmarrjeve të regjistruara prej 169 ndërmarrje më shumë, pasuar nga aktivitetet financiare të cilat kanë shënuar rritje prej 39 ndërmarrjeve si dhe sektori i prodhimit, i cili ka shënuar rritje të ndërmarrjeve të regjistruara prej 14 sosh më shumë se sa në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar”, thuhet në publikim.

Ndërsa, në sektorin e ndërtimtarisë janë regjistruara 47 ndërmarrje më pak, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, në hoteleri 40 ndërmarrje më pak dhe në tregti 8 ndërmarrje më pak.

Ndërkaq, sipas një publikimit të Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), “Indikatori matës i tendencës në biznes: Tremujori i tretë i vitit 2015”, ka dalë që situata e bizneseve është përkeqësuar dukshëm në tremujorin e tretë të vitit 2015, krahasuar me tremujorin e tretë të vitit paraprak.

Gërxhaliu, ka theksuar se në vitin 2014 pengesat kryesore për të bërë biznes kanë qenë korrupsioni, burokracia dhe prokurimi publik, ndërsa në dy tremujorët e parë të këtij është energjia dhe furnizimi me energji elektrike, bazuar në një çmim të lartë, i cili ndikon në dëmtimin e sektorit prodhues në Kosovë. Ndërsa në tremujorin e tretë të vitit 2015 indikator tjetër me pasoja negative është mungesa e porosive që po dëmton kompanitë prodhuese dhe tregtare.

Po ashtu, pritjet për të ardhmen janë përkeqësuar për të gjithë sektorët, veçmas për sektorin e ndërtimtarisë dhe të shërbimeve. Pritjet për 6 muajt e ardhshëm janë më pak optimiste, ku 35 për qind e kompanive presin gjendje më të mirë të biznesit, e që krahasuar me tremujorin paraprak ka një rënie prej 17 për qind, që ishte 52 për qind.

Kjo performancë jo e mirë e bizneseve, sipas njohësve të çështjeve ekonomike do të ndikon në shkurtimin e vendeve të punës dhe rrjedhimisht do të shkakton probleme financiare në vend.

Sipas indikatorit matës për bizneset të OEK-ut, vlerësimet për punësim kanë shënuar rënie për 5 për qind, ndërsa pritjet vlerësohen më të përkeqësuar në krahasim me tremujorin e vitit paraprak. Rreth 64 për qind e bizneseve presin që punësimi të mbetet i njëjtë.

Rekomandimet që duhet të adresohen janë që të gjenden alternativa për mbështetje të kompanive prodhuese; të kalohet në top prioritet zhvillimi ekonomik; krijimi i vendeve të reja të punës dhe kamatat e larta bankare. /KosovaLive/Telegrafi/

Exit mobile version