Në Kosovë janë duke u mbajtur zgjedhjet lokale 2021, ndërkaq sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve procesi zgjedhor po vijon normalisht.
Mirëpo krahasuar me zgjedhjet lokale të vitit 2017, pjesëmarrja e qytetarëve deri tani është më e ulët, transmeton Telegrafi.
Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi tha se sipas të dhënave preliminare nga 98 për qind e vendvotime numri i qytetarëve me të drejtë vote që kanë votuar deri në ora 11:00 është 8.2 për qind apo rreth 152 mijë votues.
Kurse, në zgjedhjet e vitit 2017, ai deklaroi se numri i qytetarëve që kishin votuar deri në ora 11:00 ishte më i lartë.
“Në të njëjtën kohë në zgjedhje lokale të 2017 kishin votuar 10.34 për qind”, tha ai.
Qendrat e votimit janë hapur në ora 07:00 dhe mbyllen në ora 19:00, ndërkaq në këto zgjedhje janë 166 kandidatë për postin e kryetarëve të komunave, 152 meshkuj dhe 14 femra.
Numri i kandidatëve për kuvende komunale është 5,198, prej tyre 3,261 meshkuj dhe 1,937 femra.
Numri i përgjithshëm i kandidatëve të certifikuar është 5,364.
Ndërkaq, lista përfundimtare e votuesve për Zgjedhjet Lokale 2021, përmban 1 milion e 885 mijë e 448 emra të votuesve, apo 90 mijë e 586 votues më shumë në krahasim me zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës që u mbajtën më 14 shkurt 2021. /Telegrafi/