“Edhe pse procedura e ratifikimit të protokolleve aderuese me Traktatin e Atlantikut Verior në Senatin Amerikan është zakonisht një proces i gjatë dhe i ndërlikuar, në rastin e Maqedonisë së Veriut, për shkak të mbështetjes prej një numri të madh të senatorëve, ky proces mund të përfundojë deri në fund të vitit”.
Këtë e theksoi sot udhëheqësi i Shërbimit të Komisionit për Marrëdhënie me Jashtë në Senatin e SHBA-ve, i cili realizoi takim me kryetarin e Kuvendit të Maqedonisë Talat Xhaferi, njofton Telegrafi Maqedoni.
Ai e përsëriti edhe mbështetjen e fuqishme të SHBA-ve për proceset reformuese në agjendën tonë të BE-së dhe ofroi këmbim të përvojave për përforcimin e kapaciteteve.
Ndërsa siç njoftojnë nga Kuvendi, Talat Xhaferi drejtoi falënderim për mbështetjen e vazhdueshme të SHBA-ve për aspiratat tona për integrim të tërësishëm në institucionet euroatlantike dhe angazhimin për sundimin e të drejtës, me shpresë se bashkëpunimi i frytshëm do të vazhdojë edhe në të ardhme./Telegrafi/