Site icon Telegrafi

Deri në fund të vitit priten rreth 400 milionë euro investime të huaja

Investimet e huaja direkte në Kosovë ishin temë diskutimi në një tryezë të organizuar nga Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës në Seksionin e Shkencave Shoqërore, ku pjesëmarrës ishte edhe kryeministri i vendit Isa Mustafa. Në këtë takim u tha nga ministrat e Qeverisë, Mustafa se këtë vit pritet të ketë rritje të investimeve të huaja deri në 400 milionë euro dhe kjo falë reformave që janë ndërmarrë dhe funksionalizimit të pakos së re fiskale.

Kryeministri Mustafa tha në këtë tryezë se investimet do të trajtohen në disa dimensione, si ai i reformave institucionale që po bëhen në Kosovës, dimensioni i tërheqjes së investimeve të huaja direkte, nga aspekti i ri-industrializimit dhe nga ai i privatizimit.

Mustafa po ashtu theksoi se tranzicioni mes tjerash ka mundësuar liberalizimin e tregut. Sipas tij, për shkak të këtij liberalizimi kanë ndodhur ndryshimet në tregje që jo çdoherë kanë rezultuar pozitive.

“Tranzicioni është karakterizuar mes tjerash me liberalizimin e tregjeve për investitorët e jashtme meqërast është bërë i mundur depërtimi i shumë kompanive në tregje dhe sektor të ndryshme dhe i vendeve që kishin një ekonomi të centralizuar. Por liberalizimi i tregjeve në kuptimin e të ashtuquajtur konsensusi i Uashingtonit nuk është treguar i mjaftueshëm për të tejkaluar rënien e menjëhershme të imputove dhe krizave të një pas njëshme që kanë karakterizuar vendet në tranzicion në fillim të viteve të 90’ta. Për me tepër në faza të ndryshime, të hershme liberalizimi ka qenë njëri prej burimeve të shumë krizave në ekonomi”, tha Mustafa.

Ndërsa, deputeti Muhamet Mustafaka folur për atë se sa investimet e huaja direkte kanë ndikuar në ri-industrializim dhe se sa janë në funksion të këtij procesi. Sipas tij, edhe nga institute prestigjioze është kërkuar që të ketë ndryshime të modelit të rritjes ekonomike dhe paraprakisht ky ndryshim duhet të bëhet në mënyrë graduale.

“Kemi ulje të investimeve që nga viti 2007, ku kemi arritur maksimumin diku ka qenë 400 milionë investime në vit kemi ranë në vitin 2014 në një nivel të ultë dhe kemi ngritje këtë vit që besoj është një shenjë e mirë e rikthimit të investimeve të jashtme në tregun tonë”, tha Mustafa.

Sa do të kenë sukses në investime e huaja direkte dhe se si do të jetë ndikimi i tyre në ekonominë e Kosovës, sipas Mustafës varet se si do të orientohen politikat ekonomike.

Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami derisa tregoi se viti 2007 ka qenë viti më i suksesshëm sa i përket investimeve të huaja në Kosovës, theksoi se viti më i dobët në këtë aspekt ka qenë ai i 2014 kur edhe vendi ishte në krizë politike dhe pa institucione të konsoliduar.

Bajrami është optimiste që për shkak të reformave të ndërmarra dhe pakos së re fiskale, ky vit po ashtu të jetë i suksesshëm dhe i përafërt me 2007-tën.

“Niveli më i lartë i investimeve të huja në Kosovë edhe për shkak të procesit të privatizimit ka ndodhur në vitin 2007, ku kemi pasur 440.7 milionë euro dhe pika më e ultë edhe për shkak të kolapsit institucional ka qenë në vitin 2014, ku niveli i investimeve të huaja direkte ka ra 151 milionë. Gjatë vitit 2015, edhe për shkak të reformave që kemi marrë si Qeveri e Kosovës, kemi pasur ngritje të dukshme dhe kemi arritur nga 1 janari deri më 30 shtator të kemi të tërheqim 270 milionë euro investime të huaja dhe për shkak të implementimit të pakos së re fiskale nga 1 shtatori presim që kjo shumë e investime të kaloj 350 milionë, t’i afrohet diku 400 milionë euro sa i përket këtij viti”, tha Bajrami.

Ndryshe, në këtë tryezë patë edhe diskutues nga shteti i Maqedonisë të cilët folën për sfidat që po kalon vendi i tyre sa i përket zhvillimit ekonomik. /Telegrafi/

Exit mobile version