Site icon Telegrafi

Deri kur do t’i durojmë…?!

Krimi i organizuar, vrasjet e përditshme me motive politike dhe larje hesapesh, korrupsioni institucional, trafikimi me qenie njerëzore, kontrabanda, prostitucioni, droga, pastrimi i parave, diplomat false, nepotizmi, zhvatja e parasë publike, skandalet e shumta, papërgjeshmëria institucionale, tritolët etj., i kanë kapluar tash e më shumë se dy dekada, të dyja shtetet shqiptare!

Në trojet shqiptare çdo gjë është false! Nga ajo që hamë e çdo gjë tjetër! Kemi institucione false, dogana false, universitete false, shkolla false, politikanë, ministra, deputetë, diplomatë, akademikë, profesorë universitarë, mësues, mjekë, arkitektë, gazetarë, psikologë, prokurorë, ekonomistë, gjykatës, avokatë dhe juristë me diploma false, veteranë me dokumente false, gazeta, televizione dhe portale false, libra false, shkrimtarë, poetë e studiues falsë, fatura false, ujë të pijshëm falso, vezë false, karburante false, rroba false, këpucë false, ilaçe false, miell fals, ushqime false, premtime false, njerëz falso, e çdo gjë tjetër false… Shqiptarët hanë ushqime false, hanë krunde të kafshëve, konsumojnë pije false, bëjnë jetë false…

Këtë vend e ka marrë lumi, kush ka sy të shohë! E kush di të notojë nëpër këtë lumë, do të shpëtojë. Por, shumica nga ne do të mbytemi në këtë lum të rrëmbyeshëm!

Dëmi u bë, dëmet po bëhen, e ne populli çdo ditë po vuajmë nga këta kriminelë, banditë, hajvanë, hajdutë, uzurpatorë, falsifikatorë etj! Neve na mori lumi, e po na merr çdo ditë e më shumë… Shumica as varka nuk kemi për të shpëtuar nga ky lum i rrëmbyeshëm, se këta që i përmenda më lartë, varkat e shpëtimit i kane siguruar më herët!

Kur ne shqiptarët në të dy anët e kufirit, Kosovë e Shqipëri, do t’ia pranojmë vetes se nuk jemi popull normal! Si mund të jemi popull normal, kur tash e më shumë se dy dekada i votojmë, i pranojmë dhe i durojmë këta plehra të politikës, të na vrasin, të na fyejnë, të na vjedhin, të na ofendojnë, të na shajnë e të na bëjnë gjitha të zezat, e fytyrat e njëjta tash e më shumë se dy dekada janë akoma në politikë!

Jemi rritur me fytyrat e njëjta të skenës politike, duke ua parë surratin për çdo ditë në TV dhe gazetat tona, e fëmijët tanë u lindën dhe po rriten prapë me surratet e tyre! Këta plehra, kriminelë, banditë, hajdutë, analfabetë, injorantë, debilë në një shtet normal as pesë sekonda nuk kishin arritur të mbijetonin në politikë, e ne i durojmë derisa të vdesin!

Kush nuk është normal këtu, ne apo ata?! Normal që ne populli jemi abnormalë! Deri kur do t’i durojmë këta banditë të politikës, të cilët prej më shumë se dy dekada po na torturojnë, po na vjedhin, po na shajnë, po na ofendojnë, po na plaçkitin, po na vrasin, po tallen me ne…! Deri kur do t’i durojmë…?
 

Exit mobile version