Nënkryetarja e Lëvizjes Vetëvendosje, Aida Dërguti ka theksuar se kërkesa e përfaqësuesve të PDK-së dhe LDK-së për mbajtjen e një seance të jashtëzakonshme për Astrit Deharin është hipokrizi.
Ajo ka theksuar se ka më tepër se një muaj kur ata si lëvizje kanë kërkuar që të mbahet një seancë e tillë, por mbajtja e seancës është penguar nga këto parti.
Dërguti këto komente i bëri pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit të Kosovës.
“Kërkesën për seancë këta po e bëjnë pasi që erdh një peticion i qytetarëve, ku kërkohet dorëheqja e disa ministrave. Tash vijnë me propozim, pa nënshkrimet të deponuara dhe pa kërkesë të protokolluar. Kjo është hipokrizi e paimagjinueshme. Duhet ta shohim kërkesën me shkrim. Një vendim i tillë është edhe në kundërshtim më rregulloren”, ka theksuar Dërguti.
Ndryshe, VV-ja pas vdekjes së Astrit Deharit ka kërkuar menjëherë që Kuvendi i Kosovës të mbajë një seancë të jashtëzakonshme, në të cilin do të kërkohej përgjegjësi institucionale për vdekjen e 26 vjeçarit, por kërkesa e tyre nuk është përkrahur nga partitë në pushtet. /Telegrafi/