Site icon Telegrafi

Dialogu Kosovë-Serbi, Richard Grenell dhe Matt Palmer sot vizitojnë Kosovën

Përfaqësuesi Special i presidentit të SHBA-së, Donald Trump, për dialogun Kosovë-Serbi, ambasadori Richard Grenell, sot arrin për vizitë në Kosovë.

Siç njofton Presidenca e Kosovës, ambasadori Richard Grenell do të takohet me presidentin e Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi.

Lexo po ashtu Richard Grenell, i dërguar i SHBA-së për dialogun Kosovë-Serbi

Takimi do të zhvillohet në kabinetin e presidentit Thaçi në ora 13:00.

Së bashku me Grenell në Kosovë do të jetë edhe Përfaqësuesi i Departamentit të Shtetit, Matt Palmer.

Këtë e ka bërë të ditur ambasadori amerikan Philip Kosnett përmes një postimi në Twitter.

“Mbështetja e SHBA-së për Kosovën dhe Serbinë në procesin e dialogut kërkon punë ekipore: I dërguari special nga presidenca Grenell dhe Përfaqësuesi Special i Departamentit të Shtetit, Matt Palmer së bashku në Berlin. Të dy do ta vizitojnë Kosovën”, ka shkruar Kosnett.

Grenell, i cili do të mbetet edhe ambasador në Gjermani, do t’i udhëheqë përpjekjet e SHBA-së, për t’iu ndihmuar Kosovës dhe Serbisë në arritjen e një marrëveshjeje zyrtare të paqes, e cila do të mund të rezultojë me njohjen e Kosovës nga ana e Serbisë, njoftoi ditë më parë Shtëpia e Bardhë.

Dialogu për normalizimin e marrëdhënieve midis Prishtinës dhe Beogradit ka ngecur qëkur Kosova iu ka vënë taksë 100% prodhimeve të importuara nga Serbia, në nëntor të vitit të kaluar. /Telegrafi/

Exit mobile version