Telegrafi

I dërguari i Posaçëm i Jemenit mirëpret vendimin e rebelëve Huthi për ndalim të sulmeve

I dërguari i Posaçëm i Jemenit në Kombëtet e Bashkuara, Martin Griffiths, tha se deklarata e rebelëve Huthi që do të ndalin të gjitha sulmet ndaj Arabisë Saudite, do të ndihmonte në përfundimin e luftës së gjatë civile.

Griffiths tha se implementimi i një iniciative të tillë nga Huthit “me mirëbesim do të dërgonte një mesazh të fuqishëm të dëshirës për t’i dhënë fund luftës”.

Në një deklaratë nga Kombet e Bashkuara në Nju Jork, Griffiths tha se dëshiron një zgjidhje politike për t’i dhënë fund konfliktit.

Ai theksoi rëndësinë e mundësisë për të lëvizur përpara me të gjithë hapat e nevojshëm për të evituar dhunën, eskalimin e situatës dhe retorikës së panevojshme.

Irani zotohet se do të “shkatërrojë çdo agresor” pas vendimit të Trumpit për trupat ushtarake

Ndryshe, Riadi zyrtar tha se është duke shqyrtuar mundësinë për t’ju përgjigjur njoftimit të militantëve Huthi për ndalimin e të gjitha sulmeve kundër Arabisë Saudite.

Ministri i Jashtëm i Arabisë Saudite, Adel al-Jubeir, tha se janë duke pritur rezultatet e hetimeve të sulmit të 14 shtatorit ndaj rafinerive të naftës, para se të marrin një vendim.

Përkundër përgjegjësisë së marrë për sulmin nga militantët Huthi, SHBA-ja dhe Arabia Saudite kanë fajësuar Teheranin.

Presidenti amerikan Donald Trump, tha më 20 shtator se ka autorizuar një rritje të moderuar të trupave ushtarake në Arabinë Saudite dhe Emiratet e Bashkuara, pas këtij sulmi.

Irani ka mohuar përfshirjen në sulm si dhe ka paralajmëruar se do të hakmerret ndaj çdo agresori. /REL/