Telegrafi

Dërgohen në rehabilitim mjekësor pensionistë dhe invalidë të punës

Duke filluar nga muajt e vjeshtës së këtij viti (shtator-tetor), Ministria e Shëndetësisë e Republikës së Kosovës, do të dërgojë 100 pensionistë kosovarë në institucionet rehabilituese shëndetësore në vend, siç janë Banja e Pejës dhe Banja e Kllokotit.

Listën e pensionistëve që do të jenë pjesë e këtij tretmani dhe orarin e qëndrimit në institucionet rehabilituese, do ta bëjë vet Bashkimi i Pensionistëve dhe Invalidëve të Punës të Republikës së Kosovës (BPIPRK), ndërsa Ministria do të marr përsipër sigurimin e mjeteve financiare për mbulimin e shpenzimeve. Programi synohet që të bëhet i përhershëm.

Ministri i Shëndetësisë i Republikës së Kosovës, Alush Gashi, ka pritur ditë më parë në një takim në kabinetin e tij kryetarin dhe anëtarë të Bashkimit të Pensionistëve dhe Invalidëve të Punës të Republikës së Kosovës, me të cilët ka trajtuar çështje të ndryshme nga problematika e moshës së tretë, ndërkohë që krahas mbështetjes për nxjerrjen e Ligjit për pensionistët, ministri ka ofruar mbështetjen e institucionit që e drejton edhe për mbrojtjen më të mirë të pensionistëve dhe invalidëve të punës, duke u rikujtuar atyre se këto kategori do të mbrohen me ligj, se janë të liruara nga bashkëpagesat në sistemin shëndetësor në të gjitha nivelet, dhe se MSh do të përmirësojë edhe më tej furnzimin me barna të qendrave mjekësore ku ata kontrollohen.

Po ashtu, ka premtuar edhe angazhim që këto kategori të përfshihen në programe të përhershme të rehabilitimit mjekësor, por edhe në programin e trajtimit jashtë vendit.

Në të njëjtën kohë, Ministri Gashi ka kërkuar nga pensionistët që të përqendrohen për marrjen e shërbimeve shëndetësore brenda Qendrave të Mjekësisë Familjare në gjithë vendin, pasi që mjekët familjar janë ata të cilët duhet të përcjellin çdo pacient të regjionit ku banojnë, të përcjellin nevojat e tyre nga Lista esenciale e barnave, të cilat së shpejti do të menaxhohen me softuer të ri, i cili do të identifikojë saktë porositë dhe nevojat e qytetarëve në nivel vendi dhe, duke u futur kështu në sistem, të japin ndihmesë për të krijuar edhe evidenca lidhur me numnrin e saktë të tyre dhe nevojat për barna të Listës Esenciale.

Pensionistëve dhe invalidëve të punës ndërkaq, u është kërkuar që të denoncojnë në mënyrë të argumentuar drejtpërdrejt në MSh, secilin rast kur atyre nuk u ofrohet shërbimi i kërkuar mjekësor, nëse shfaqen raste të tilla.