E plotësuar: Gjykata Themelore në Prishtinë e ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë për caktimin e paraburgimit për kryeinspektorin e Punës, Hekuran Nikçi dhe ushtruesit të detyrës së menaxherit në Njësinë për Menaxhimin e Burimeve Njerëzore, Naim Shalaku.
Atyre u është caktuar masa e arrestit shtëpiak.
Nikçi dhe Shalaku u ndaluan të enjten me urdhër të prokurorit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë me dyshimin për keqpërdorim të pozitës zyrtare.
Hekuran Nikçi dyshohet për veprat penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Cenim i të drejtave nga marrëdhënia e punës” dhe “Përdorim i paautorizuar i pasurisë”.
Naim Shalaku dyshohet për “Keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “Cenim i të drejtave nga marrëdhënia e punës”.
Dërgohen në gjykatë kryeinspektori Nikçi dhe Shalaku
Kryeinspektori i Inspektoratit të Punës, Hekuran Nikçi, dhe ushtruesi i detyrës së menaxherit në Njësinë për Menaxhimin e Burimeve Njerëzore, Naim Shalaku, u dërguan sot në Gjykatën Themelore.
Të dy ishin ndaluar të enjten me urdhër të prokurorit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë për 48 orë, nën dyshimin për keqpërdorim të pozitës.
Ata dyshohen për kryerje të veprave penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar, raporton RTK. Që të dy këta janë intervistuar gjatë të enjtes nga Sektori për Hetime Financiare i Policisë.